Duket se iniciativa e Policisë së Shtetit për të bërë vetëdeklarimin e çdo efektivi të çdo hallke të Policisë, Gardës së Republikës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore nëse kanë përdorur aplikacionet ‘SKY ECC’ dhe ‘Encrochat’ ka dhënë rezultate.
Një oficer i Gardës së Republikës ka pranuar në formularin e vetëdeklarimit se ka përdorur aplikacionet e koduara. Pyetjes nëse keni qenë përdorues i ‘SKY ECC’ ai i është përgjigjur pozitivisht. Burime bëjnë me dije se efektivi ka dhënë si arsye faktin që nuk e dinte që ishte i ndaluar përdorimi i tyre. Burime pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore bëjnë me dije se oficeri është në fazë verifikimi të mënyrës si e ka përdorur dhe me çfarë qëllimi. Në përfundim të hetimeve pritet të vendoset nëse do të ketë përjashtim përfundimtar nga Garda.
Oficer i Gardës së Republikës është i pari që ka pranuar se ka përdorur aplikacionet e koduara nga rreth 13 mijë punonjës të policisë, së Gardës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
‘SKY ECC’ dhe ‘Encrochat’ nuk janë platforma të paligjshme por në pjesën dërrmuese të rasteve, janë përdorur nga persona me rekorde kriminale. Të dy aplikacionet kanë një kosto të caktuar për përdorimin e tyre dhe jo çdo person ka mundësin ekomomike t’i përdori.
Sipas urdhrit të Ministrisë së Brendshme, çdo punonjës që kishte përdorur aplikacionet e koduara do të përjashtohet menjëherë nga puna.