Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta po zhvillon një takim me strukturat dhe përfaqësuesit lokalë në qytetin e Durrësit, ku ka kërkuar rritjen e forcës reaguese qytetare dhe të kapacitetit investigues, për t’i dhënë besim dhe forcë të gjithë qytetarëve për të denoncuar çdo padrejtësi.
Sipas Metës, qyteti bregdetar ka kaluar disa vite nën presionin e mafies qeveritare dhe vuan pasojat e korrupsionit.
FJALA E METËS:
Durrësi ka përballuar një presion të jashtëzakonshëm të mafies qeveritare dhe gjithë grupeve të tjera mafioze, të cilat duan të mbajnë Shqipërinë, por sidomos Durrësin në frikën e korrupsionit, të drogës, që jemi dëshmitarë të gjithë për suksesin e importit të bananeve, por edhe të monopoleve. Unë besoj se Durrësi që është viktima e dytë më e madhe e betonizimit, korrupsionit dhe pastrimit të parave pas Tiranës ka për të detyrë të zgjohet për të ruajtur identitetin dhe komunitetin, por edhe të ardhmen se ka vuajtur si qytet nga një pasiguri e madhe. I dimë pasojat e tërmetit, por pasojat e tyre erdhën nga korrupsioni. Se vite më parë kishte studim strategjik të kryer nga ekspertë që thotë se Durrësi ka aktivitet të lartë sizmologjik. Ndaj edhe shembja e banesave dhe viktimave për fat të keq erdhi si pasojë e korrupsionit. Shkatërrimi i arkeologjisë, i vlerave më të mira historike dhe kulturore të qytetit është një dëm i jashtëzakonshëm që ka ardhur prej korrupsionit dhe një politike të mire studiuar për të bërë gjithçka për të zhdukur identitetin tonë si shqiptarë. Shihni çfarë ndodhi në Tiranë, çfarë ndodhi me Butrintin.