Arben Ahmetaj ka humbur privilegjin për të pasur pasaportën diplomatike, të cilën e kishte marrë falë statusit të deputetit.
Drejtoria e Çështjeve konsullore në Ministrinë e Punëve të Jashtme, i ka drejtuar një kërkesë të gjitha misioneve diplomatike dhe konsullatave shqiptare në botë për shpalljen të pavlefshme dhe jashtë qarkullimit të pasaportës diplomatike të Arben Ahmetajt.
Sipas Ministrisë së Jashtme ky është një veprim që ndiqet për çdo person i cili humbet imunitetin e deputetit.
Procedura për shpalljen e pavlefshme të një pasaporte diplomatike është bërë në bazë të ligjit, një anëtar i Kuvendit të Shqipërisë humbet të drejtën e pasaportës diplomatike me vendim të Kuvendit, për ndërprerjen/humbjen e mandatit të deputetit.
Sipas ligjit, pasi Kuvendi i përcjell shkresën zyrtare se individi nuk gëzon më mandatin e deputetit, MEPJ nis procedurën administrative, e cila bazohet në VKM 389, datë 12.06.2019, “Për kriteret për lëshimin e pasaportës diplomatike dhe asaj të shërbimit” pikat 3,4,6,7 dhe Ligji nr. 8668, datë 23.10.2000, i ndryshuar “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, neni 8 dhe neni 9. Bazuar në sa më lart, MEPJ sipas procedurës standarde përcjell njoftimin për shpalljen e pavlefshme të pasaportës në të gjitha përfaqësitë e Republikës së Shqipërisë”, thuhet një njoftim.