Një 24-vjeçar i identifikuar si Rexhep Mansaku do të hetohet në gjendje të lirë nga policia pasi ka keqtrajtuar kafshët e tij shtëpiake.
Sipas policisë ai ka nxitur qentë të sulmojnë njëri tjetrin dhe i ka filmuar duke i publikuar më pas këto pamje në rrjetet sociale.
Pas publikimit të videos policia ka rënë në gjurmët e tij dhe ka bërë shoqërimin e të riut në ambientet e policisë. Më pas ndaj tijka nisur një hetim për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve”.
Njoftimi i policisë:
Nxiti kafshët e tij shtëpiake (qentë) që të sulmonin njëri-tjetrin, filmoi pamjet dhe i publikoi në rrjetet sociale, identifikohet dhe procedohet penalisht 24-vjeçari. Pas videos së publikuar në rrjetet sociale, në të cilën shfaqeshin disa qen që sulmonin njëri-tjetrin, ju bëjmë me dije se nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, bazuar në pamjet filmike, u bë identifikimi dhe shoqërimi në ambientet e Policisë, i shtetasit R. M. Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin R. M., 24 vjeç, banues në Zallbastar, Tiranë, për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve”. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.