Policia ofron 30 mijë euro shpërblim për çdo informacion që çon në kapjen dhe identifikimin e autorëve të vrasjes së Gëzim Sinomatit në Vlorë.
Sipas policisë, grupi i posaçëm i ngritur për të hetuar ngjarjen, po vijon me zbardhjen dhe dokumentimin e fakteve.
“Në këtë kuadër, DVP Vlorë fton qytetarët që të japin informacion për këtë ngjarje dhe ofron shpërblimin 30 000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë vë në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694173022, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi”, njofton policia.
Sinomati u ekzekutua me sniper teksa qëndronte në ballkonin e apartamentit të tij në lagjen “Hajro Çakërri”, në Vlorë. Dyshohet se vrasja ka ndodhur për motive hakmarrje duke marrë parasysh të kaluarën kriminale të babait të tij, Sokol Sinomati, pjesë e bandës së Gaxhait.