Qeveria ka miratuar shpërblim për zjarrfikësit për këtë fundvit. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, tha pas mbledhjes së qeverisë se punonjësit e shërbimit zjarrfikës do të kenë si shpërblim një pagë mujore shtesë.
Ata zjarrfikës të cilët janë angazhuar në zjarret që prekën Greqinë, do të marrin dy paga mujore si shpërblim.
“Mirënjohja që qeveria u jep punonjësve të zjarrfikësve, sapo kemi miratuar një shpërblim për zjarrfikësit e angazhuar në një situatë të vështirë që kemi kaluar gjatë kësaj vere me zjarret qeveria do të transferojë menjëherë të gjitha bashkive të vendit fondin në mënyrë që para natës së Vitit të Ri të gjithë të marrin shpërblimin e një page mujore në vlerësim të punës së tyre, të gjithë zjarrfikësit shqiptarë të angazhuar në misionin për t’i ardhur në ndihmë shtetit dhe popullit grek në lidhje me situatën e vështirë gjatë kësaj vere, për ta shpërblimi do të jetë dy paga mujore. Janë marrë edhe një sërë vendimesh të tjera që lidhen me implementimin e aktit normativ, ku një sërë kategorish sociale pensionistët, invalidët dhe të gjithë të tjerët përfitojnë ato shpërblime që kemi planifikuar në aktin normativ”, tha Balla.
Balla tha se për herë të parë rreth 10 mijë punonjësve të policisë së Shtetit do t’u paguhet ushqimi që konsumojnë gjatë ushtrimit të detyrës dhe jo vetëm dietat për operacionet speciale.
“Përveç pagesës së ushqimit ne po përmbyllim brenda kësaj jave dhe një marrëveshje me rrjetet e supermarketeve dhe dyqaneve që shesin mallrat bazë ushqimore, në mënyrë që punonjësit e policisë së shtetit të kenë përfitime edhe me lehtësimin e çmimeve ku ata do të blejnë me kartën e bankës që do të marrin. Ne do të negociojmë që të ketë një ulje 10-15% për çdo punonjës të policisë me rrjetet e dyqaneve që po negociojmë”, deklaroi Balla.