Importet e birrës vijojnë të zgjerojnë terren në tregun shqiptar. Në muajt janar-tetor, importet e birrës sipas të dhënave të Doganave u rritën 6% krahasuar me vjet.. Pesha e birrës së importit ndaj totalit të tregut (importe+prodhim) për muajt janar-tetor 2023 arriti 59% kundrejt peshës prej 54% që pati importi në treg për janar-tetor 2022.
Prodhuesit e kanë përsëritur disa herë se birra vendase është në prag të falimentimit. Në periudhën janar-tetor 2023 u prodhuan 30 milionë litra birrë, sasia më e ulët që prej vitit 2016. Për janar-tetor prodhimi vendas u ul 13% kundrejt të njëjtës periudhë të 2022-it.
Enzo Panteqi, administrator i fabrikës prodhuese së birrës “Stela”, tha për “Monitor” se konsumi për birrën vendase vijon të jetë në nivele të ulëta, për shkak të kostos së lartë nga dyfishimi i akcizës, çmimit të energjisë dhe çmimeve të lira të shitjes së birrave të huaja.
Për të rritur xhiron dhe marzhin e fitimit, ai pohon se po importojnë një birrë të markës spanjolle. “Kjo situatë është si rezultat i politikave fiskale jo nxitëse të institucioneve shqiptare. Birra shqiptare është drejt zhdukjes, duke u shkaktuar dëm punonjësve dhe ekonomisë së vendit”, nënvizon ai.
Gjatë 2023, çmimi i birrës shqiptare në gjithë tregun shqiptar, sipas të dhënave të Shoqatës së Prodhuesve të Birrës u rrit me 20% krahasuar me vjet, si pasojë e dyfishimit të nivelit të akcizës nga 1 janari, duke humbur konkurrueshmërinë përballë birrave të importit që shiten me çmim më të lirë.
Bie konsumi edhe në bare dhe restorante
Tendenca e rënies së konsumit është rikthyer për baret dhe restorantet. Në muajt e verës, konsumi në bare dhe restorante u rrit 20% krahasuar me vjet, nga fluksi i lartë i turistëve. Me largimin e turistëve të huaj, sipas përfaqësuesit të Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahaj, konsumi nisi të tkurret.
Ndër faktorët e brendshëm që po ndikojnë tek ulja e konsumit sipas Jahajt mbeten pasiguria për shpenzime te konsumatori familjar për shkak të vështirësive ekonomike dhe tendenca për kursime në prag festash, si dhe duke përfshirë “frikën” për t’u ekspozuar në restorante të individëve që zotërojnë para të pista, për shkak të hetimeve nga SPAK.
“Konsumi në bare dhe restorante është në rënie krahasuar me vjet. Së pari, jemi përballë një krize që konsumatorët ndihen të pasigurt për shpenzime. Së dyti, ishin ditët e gjatë të pushimeve për festat kombëtare. Së treti, jemi edhe në prag të festave të fundvitit dhe konsumatori priret të kursejë për shpenzimet në bare dhe restorante.
Së katërti, ata që kanë para, si dhe ata që kanë para të pista nëpër duar, nuk dalin të shpenzojnë më, pasi nuk duan të bien në sy. Qëndrojnë larg vëmendjes së njerëzve, konsumojnë në shtëpi. Pra tashmë është fakt që të dyja krahët nuk po dalin më për dreka dhe darka në restorant, ose dalin pa rënë në sy të njerëzve. Të gjithë i ka kapur frika”, thotë Jahja.
Ai shton se tërheqja e kësaj kategorie po jep ndikim, për faktin se vlerësohet se ata zënë 10-15% të konsumit total në bare e restorante. “Kjo kategori shpenzon deri në 15 mijë lekë për person në restorante”.
Më herët, edhe agjentët e tregut të pasurive të paluajtshme pohuan për “Monitor” së hetimet po ndikojnë te rënia e kërkesës për blerje apartamentesh.
Shqetësimi për rënien e konsumit u ngrit edhe në fillim të këtij viti nga Shoqata e Bareve e Restoranteve, për shkak të pasigurisë së konsumatorit nga rritja e çmimeve për produktet e shportës ushqimore nga konflikti Rusi-Ukrainë.
Sipas përfaqësuesve të shoqatës, konsumi pati përmirësim në zgjedhjet vendore të 14 majit dhe vijoi me rritje gjatë muajve të verës nga turistët.
Z. Jahja tha se aktualisht, shpenzimet për person në restorante variojnë nga 3,500 deri në 4,000 lekë, nga 3,000 deri në 3,500 lekë për person që arrinin vjet. Shpenzimet për restorante janë rritur nga 13 deri në 17% për person.
Në vend janë gjithsej 15,5 mijë bare, nga 22 mijë në vitin 2015, duke qenë aktiviteti i dytë më i preferuar në vend, pas biznesit të pakicës. Sipas të dhënave të regjistrit të bizneseve të INSTAT, në vitin 2021 u mbyllën 854 aktivitete të shërbimeve të ushqimeve e pijeve, me rënie 5.2%.
Referuar të dhënave të INSTAT, deri në 2019 në këtë sektor ishin të punësuar 45,000 persona. Numri i të punësuarve konsiderohet më i lartë, për shkak të informalitetit.
Pas përfundimit të valës së turistëve, konsumi i pijeve alkoolike i rikthehet rënies
Importet e grupit “Pijet, alkoolet dhe uthulla” në muajt janar-tetor u rritën 7% më shumë se vitin e kaluar, sipas të dhënave të INSTAT.
Kantinat vendase të pijeve alkoolike pohojnë se pas ikjes së turistëve, veçanërisht nga muaji nëntor ka filluar rënia e kërkesës nga konsumatori. “Kërkesa për pije alkoolike ndryshoi pas largimit të turistëve.
Ndryshimi i konsumit është ndikuar nga rritja e shpenzimeve të konsumatorit për produktet e shportës, çmimet e të cilave janë në rritje. Edhe çmimet e pijeve alkoolike janë 15 deri në 20% më të shtrenjta se vjet, por nuk janë produkte parësore për konsum”, thotë Denis Zhilla, drejtor i shitjeve të kantinës së pijeve “Skënderbeu”.
Gjatë muajve të verës, për shkak të ardhjes së turistëve, shitjet e pijeve alkoolike për këtë operator u rritën me 10% dhe ato të verërave me 30%, veçanërisht në lokalet e zonës së jugut./ Monitor