Të zhvendosesh në një vend të ri mund të jetë e vështirë, veçanërisht nëse nuk flisni gjuhen e atij vendi apo një gjuhë zyrtare. Disa nga destinacionet turistike më të njohura në Europë kanë më pak aftësi në gjuhën angleze. Po në cilin shtet europian do të kuptoheni më mirë dhe në cilat vende do të keni nevojë për njohuri të gjuhës lokale?
Çdo vit, kompania globale e arsimit Education First (EF) rendit vendet nga me aftësi shumë të larta në shumë të dobëta kur bëhet fjalë për të folurit anglisht në Indeksin e saj të Aftësisë Angleze (EPI). Duke analizuar rezultatet e 2.2 milionë të rriturve që iu nënshtruan testeve standarde të anglishtes të EF në 2022, ai i jep secilit vend një renditje nga 800 pikë maksimalja.
Si vlerësohet Shqipëria?
Shqipëria renditet në vendin e 39 globalisht, e vlerësuar me 533 pikë, në kategorinë “Aftësi të Moderuara”, por në kryeqytet vlerësohet me 559 pikë, duke kaluar në kategorinë “aftësi të Larta”.
Krahasuar me vitin 2022, ka një përmirësim me 10 vende.
Nga vendet e rajonit përfshihet vetëm Serbia, e cila renditet në vendin e 24 me 569 pikë, në kategorinë “aftësi shumë të larta”.
Cilat vende europiane kanë aftësitë më të mira të gjuhës angleze?
Ashtu si në vitin 2022, Holanda përsëri zuri vendin e parë me 647 pikë, duke pasur aftësitë më të mira të gjuhës së dytë angleze si në Europë ashtu edhe në 113 vende në mbarë botën. Pjesë e vendeve me “aftësi shumë të mira” ishin edhe Austria, e cila renditet në vendin e 3-të globalisht me 616 pikë.
Vendet nordike Danimarka, Norvegjia dhe Suedia dominuan pas saj, të ndjekura nga Belgjika, Portugalia, Gjermania, Kroacia dhe Greqia.
Vendet europiane me një ‘aftësi të lartë’ në anglisht përfshinin Poloninë (e 13-ta globalisht), Finlandën, Rumaninë, Bullgarinë, Hungarinë, Sllovakinë, Lituaninë, Luksemburgun, Estoninë, Serbinë, Republikën Çeke dhe Zvicrën (vendi i 30-të).
Franca mbetet prapa në aftësitë e gjuhës angleze
Franca ka zbritur shkallën që nga viti 2021, kur u ul në kategorinë e ‘aftësive të larta’ në vendin e 31-të globalisht. Në vitin 2022, ajo zbriti në ‘aftësi të moderuar’ me 541 pikë, e vendosur në vendin e 34-të. Këtë vit, ajo ka rënë në vendin e 43-të globalisht dhe të 34-tin në Europë, me 531 pikë, më e ulëta nga të gjitha vendet e Europës Veriore të përfshira në studim.
Me 535 pikë, Italia dhe Spanja ranë gjithashtu në kategorinë e ‘aftësive të moderuara’, duke u renditur së bashku në vendin e 35-të globalisht, ose të 32-të dhe të 33-të në Europë, ngjashëm me pozicionet e tyre në vitin 2022.
Këto shtete ishin edhe nën Gjeorgjinë dhe Bjellorusinë, të dyja të renditura në vendin e 32-të dhe 33-të globalisht. Vende të tjera europiane në kategorinë e ‘aftësive të moderuara’ përfshijnë Moldavinë (vendin e 35-të), Rusinë, Ukrainën dhe Armenia (në vendin e 48-të). Vendet ku mund të keni me të vërtetë vështirësi për t’u kuptuar përfshijnë Turqinë (66-ta) dhe Azerbajxhani (83-ta), që të dyja bien në kategorinë me ‘aftësive të dobëta’.
Pavarësisht se Spanja, Italia dhe Franca renditen më poshtë se shumë vende europiane, aftësia në gjuhën angleze është me e lartë në kryeqytetet e tyre./ Monitor