Drejtori i burgut të Fushë-Krujës, Durim Toska u arrestua mbrëmjen e djeshme në Pogradec, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Kjo e fundit është pajisur edhe me urdhër mbrojtje. Gjatë kontrollit që uniformat blu kanë ushtruar në shtëpinë e Toskës, i është gjetur edhe një pistoletë me municion luftarak, të cilën 52-vjeçari e posedonte pa leje.
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka reaguar menjëherë duke shkarkuar Toskën nga posti i drejtorit të burgut të Fushës-Krujës. Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se Manja e ka ndërmarrë këtë hap, pas propozimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, duke e bazuar vendimin në kritere etike dhe ligjore të cenuara nga Durim Toska.
Në vendin e Toskës është komanduar Erion Laskaj si drejtor i burgut të Fushë Krujës. Durim Toska tashmë do të përballet me akuzat për dhunë në familje si dhe armëmbajtjes pa leje.