Kthimi i sektorit të ndërtimit në ciklin e rritjes, i nxitur nga kanalizimi i investimeve në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe rritja e turizmit po tërheq gjithnjë e më shumë sipërmarrje në këtë fushë.
Ndërtimi po shton dominimin, duke rezultuar ndër sektorët më fitimprurës në Shqipëri. Si i tillë, ai po tërheq më shumë kapitalet e lira, si rrjedhojë e kthimit të shpejtë, por edhe përfitimeve që po merr nga kanalizimi i parave informale, si në ngritjen e pallateve, ashtu edhe në transaksionet e shitblerjes.
Gati 23% e sipërmarrjeve në listën e “Monitor 200”, sipas fitimeve janë nga ndërtimi ose të lidhura me të, më shumë se çdo sektor tjetër.
Normat e fitimit kanë luhatje të mëdha nga një vit në tjetrin dhe nga një kompani në tjetrën, në varësi të ciklit të investimit, por në pjesën më të madhe, ato janë dyshifrore
Edhe në vitin 2022, sektori vijoi rritjen për të disatin vit radhazi. Prodhimi i Brendshëm Bruto në sektorin e ndërtimit, në vitin 2022, ishte rreth 207 miliardë lekë (1.9 miliardë euro).
Që prej 2014-s, sektori i është rikthyer ciklit të zgjerimit, dhe në vitin 2022 arriti në nivelin më të lartë të paktën që nga 2008-a, kur janë dhe të dhënat më të hershme të publikuara nga INSTAT.
Në rritje edhe më të fortë ishin pasuritë e paluajtshme. Në vitin 2022, vlera e transaksioneve ekonomike në aktivitetin e pasurive të paluajtshme (Prodhimi i Brendshëm Bruto me çmime korente) arriti një rekord prej gati 120 miliardë lekësh, ose 1.1 miliardë euro.
Që prej vitit 2019, sektori po njeh rritje të fortë, që u përshpejtua sidomos në vitin 2022 dhe vijoi zgjerimin dhe në muajt e parë të 2013-s, duke u bërë një ndër udhëheqësit kryesorë të rritjes ekonomike.
Si kompanitë rezidenciale, ashtu dhe ato inxhinierike (rrugët e të tjera përmes tenderave) raportojnë panoramë të kënaqshme financiare dhe norma fitimi dyshifrore, që është më e lartë për sipërmarrjet e përfshira në ndërtime rezidenciale, ndonëse për apartamentet, fitimet luhaten në bazë të ciklit të shitjeve.
Vitet e fundit, sipërmarrjet që po investojnë në sektorin e hotelerisë, turizmit dhe vilave në bregdet, po bëhen një faktor i rëndësishëm në këtë segment dhe po rriten me shpejtësi, duke shfrytëzuar kthimin e Shqipërisë në një destinacion të preferuar turistik dhe lehtësitë fiskale që ka dhënë qeveria për markat me 5 yje (përjashtim nga tatimfitimi për 10 vjet dhe heqjen e taksës së infrastrukturës).
Në ndërtimet turistike po mbizotërojnë vilat, të kombinuara me hotele, që janë investime vendase dhe marrin në përdorim emrat e markave të njohura ndërkombëtare.
Zhvilluesit pohojnë se preferojnë vilat, për shkak të kthimit të shpejtë që ato kanë, ndërsa hotelet kërkojnë më shumë punë dhe kanë kosto më të lartë menaxhimi dhe kthim të investimit më të gjatë në kohë.
“Gjoka Konstruksion”, që vepron dhe si nënkontraktor i “Gjoka 87” në koncesionin për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, kishte fitimet më të larta në vlerë në sektorin e ndërtimit në 2.1 miliardë lekë, ndonëse me një rënie prej 15% në raport me vitin e mëparshëm.
Norma e fitimit ishte 27%, nga 36% vitin e mëparshëm.
“Antea Cement” u rendit e dyta, duke rritur fitimet me 42%, në 1.7 miliardë lekë. Norma e fitimit u përmirësua lehtë në 14.4%.
Sipas raportit të aktivitetit, ecuria ka ardhur “kryesisht prej kërkesës në rritje për produktet e Shoqërisë dhe rritjes së çmimeve me qëllim zbutjen e shtrenjtimit të lartë të kostos së energjisë elektrike dhe lëndës djegëse, si dhe nga aftësia e Shoqërisë për të përmbushur plotësisht nevojat e tregut jo vetëm brenda vendit, por edhe ndërkombëtarisht.
“Green Coast”, pjesë e grupit BALFIN që po ndërton kompleksin turistik të vilave me të njëjtin emër në Jug të vendit, kishte fitime prej 1.1 miliardë lekësh në vitin 2022, sipas të dhënave nga kompania, që janë ende të paaudituara, me rritje 29%.
Norma e kthimit u përmirësua me 2 pikë përqindje në 20%.
Shoqëria zhvillon projekte elitare në zonën e Jugut, me ndërtimin e fshatrave turistikë dhe hotelerisë.
“Agi Kons” raportoi fitime prej 1.1 miliardë lekësh, gati 4 herë më të larta në krahasim me vitin e mëparshëm. Norma e fitimit ishte 25%. Pjesa më e madhe e të ardhurave të shoqërisë vijnë nga punimet e ndërtimit për të tretë, sipas bilancit.
Ndonëse të ardhurat ranë lehtë, rritja e fitimeve erdhi nga reduktimi i shpenzimeve të lëndëve të para e materialeve të konsumueshme.
“Shoqëri e Thjeshtë INTEKAR – ASL” është një hyrje e re në listën e më të mëdhenjve të ndërtimit, si për të ardhurat, ashtu edhe për fitimet, pasi fitoi tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogorasë.
Në vitin e parë të aktivitetit, kompania deklaroi 944 milionë lekë fitime, me një normë prej gati 18%.
“Alb Building” deklaroi fitime prej 771 milionë lekësh, me rritje 26%. Norma e fitimit u përmirësua në 27%. Kompania është përfshirë në disa projekte, si segmenti rrugor Qukës – Qafë Plloçë.
Norma të larta fitimi mbi 50% deklaruan “Alba Skela Construction”, që ka hyrë për herë të parë këtë vit në listën e “Monitor 200”, sipas fitimeve, me një nivel prej 65%, e ndjekur nga “ANDI.”, sërish një hyrje e re, me 56%./ Monitor