Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor me Sekretarin e NATO-S, Jens Stoltenberg.
Në fjalën e tij, Rama u fokusua tek tensionet mes Kosovës dhe Serbisë. Rama shprehu keqardhje që thirrjet e tij të përsëritura për shtimin e trupave në veri të Kosovës nuk janë marrë parasysh.
Ndër të tjera, ai shtoi se ngjarja e Banjskës është paralajmërim teksa kërkoi të garantohet kufiri mes Kosovës dhe Serbisë.
“Dëshiroj të theksoj se jam i keqardhur për faktin që pavarësisht thirrjeve të përsëritura për të shtuar në mënyrë të ndjeshme jo vetëm vëmendjen, por edhe trupat, të cilat duhet të garantojnë stabilitet dhe paprekshmëri absolute të Kosovës, ka ndodhur një ngjarje tragjike, e cila duhet konsideruar një paralajmërim dhe jo një ngjarje sporadike dhe e cila duhet me çdo kusht të mos përsëritet. Theksova dhe sot në takim domosdoshmërinë e rritjes së numrit të forcave të NATO-s në Kosovë dhe domosdoshmërinë për të garantuar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë që faktikisht është jashtë kontrollit dhe i cili është në shërbim të aktiviteteve ilegale të trafikut të armëve, të trafikut të drogës, të aktiviteteve të cilat pastaj ngatërrohen siç e dimë të gjithë edhe me aktivitetin politik me sfond ultranacionalist që shkakton devijime të rënda, siç ishte devijimi në Banjskë ku humbi jetën në krye të detyrës një punonjës i Policisë së Kosovës dhe doli në pah rrezikshmëria e lartë për destabilizim dhe përshkallëzim të një konflikti që siç e tha Sekretari i Përgjithshëm ka vetëm një vend për t’u trajtuar, në tryezën e dialogut të ndërmjetësuar nga BE mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Rama.