Pas denoncimit për dhunën e ushtruar nga edukatorja ndaj vajzës 3-vjeçare në kopshtin “Stinët”, Policia ka ngritur grupe task force për kontrollin e subjekteve parashkollore mbi ligjshmërinë e veprimtarisë së tyre.
Policia ka ushtruar kontrolle në 201 subjekte në të gjithë vendin dhe kanë kryer veprimet procedurale sipas ligjit për 81 subjekte, ku ka rezultuar se veprimtaria kryhej në kundërshtim me ligjin. Nga kontrollet janë evidentuar 63 çerdhe dhe kopshte në të cilat kryhej veprimtari pa licencën përkatëse ose me dokumentacion të parregullt: 40 në Tiranë, 11 në Durrës, 4 në Lezhë, 4 në Shkodër, 2 në Fier, 1 në Vlorë dhe 1 në Gjirokastër.
Për pronarët/administratorët e këtyre 63 subjekteve, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të drejtorive vendore të Policisë kanë referuar materialet procedurale në prokuroritë respektive, për veprat penale “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore”, “Punësimi i paligjshëm”, “Mashtrimi”, “Fshehja e të ardhurave”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Për 18 subjektet e tjera që kryenin veprimtarinë në kundërshtim me ligjin, janë kryer verifikimet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe me organet tatimore. Këto subjekte do të ndëshkohen me masa administrative.