Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet dhe ka përcjellë në Prokurorinë e Tiranës dosjen për 4 efektivë i Komisariatit nr. 1, në lidhje me ngjarjen e rëndë në kopshtin privat “Stinët”, ku në rrethana të mistershme 3-vjeçarja theu këmbën. Bëhet fjalë për 3 efektivët e pezulluar nga policia Rustem Dervishi, Ylli Çako dhe Ergys Brahimaj dhe një i katërt që ditën e denoncimit ka qenë i pranishëm.
Të katërt janë nën akuzë për shpërdorim detyre dhe gjatë marrjes në pyetje kanë pranuar se e kanë neglizhuar çështjen, duke thënë se do të vijonin hetimin të nesërmen dhe në vijim. Megjithatë, AMP ka dyshime të forta se efektivët nuk kanë verifikuar sipas ligjit dokumentacionet e kopshtit, siç rezultoi më vonë i palicensuar.
Hetuesit po vijojnë hetimet për të parë nëse efektivët e akuzuar kanë përfituar ryshfet për të lehtësuar pozitat e pronarëve të kopshtit privat. Kjo mbetet në kuadër të dyshimeve fillestare pasi për momentin nuk ka prova për ngritje akuze.