Për javën që presim, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të qëndrueshme pasi në pjesën më të madhe të ditëve pritet mot me kthjellime e alternime vranësirash kalimtare. Por nuk do të mungojnë edhe reshjet e shiut të cilat ditën e mërkurë pritet të jenë me intensitet të lartë.
Në këtë mënyrë për ditën e hënë dhe ditën e martë moti parashikohet kryesisht me kthjellime e alternime vranësirash kalimtare. Për ditën e hënë orët e para të 24-orëshit vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët dhe shtrëngata afatshkurtra më pas pjesën më të madhe të ditës do ketë reshje shiu të dobëta në relievet e larta malore.
Ditën e martë reshjet do të jenë prezente të herëpashershme me intensitet të ulët në zonën e veriperëndimit ndërkohë që të mërkurën do ketë vranësira mesatare e të dendura. Reshjet e shiut me intensitet mesatar dhe të lartë do të jenë prezente që në orët e para të mëngjesit fillimisht në veriperëndim të vendit më pas në pjesën më të madhe të territorit. Reshjet do të jenë në formën e rrebesheve të shpejta e stuhive afatshkurtra me shkarkesa të forta elektrike dhe breshër. Në orët e mbrëmjes intensiteti i reshjeve bie dhe bëhen të herëpashershme me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar në formën e shtrëngatave.
Për ditën e enjte moti pritet me kthjellime e alternime vranësirash kalimtare. Në mbyllje të javës do të ketë sërish një përkeqësim të kushteve atmosferike.