Jamarbër Malltezi u arrestua mbrëmjen e djeshme në aeroportin e Rinasit. Arrestimi u bë me urdhër të SPAK, ndërsa edhe ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Në pranga është vënë edhe Fatmir Bekteshi, ndërtues. Masat e sigurisë lidhen me hetimet e SPAK për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
Prokuroria e Posaçme ka ngritur 3 akuza: korrupsion pasiv, fshehje pasurie dhe pastrim parash.
Berisha gjatë konferencës për mediat në selinë blu, deklaroi mbrëmë se, asnjë veprim politik i Edi Ramës, që përdor prokurorinë nuk do të ndalë aksionin e nisur nga opozita.
Ai akuzoi kryeministrin se ka firmosur për të privatizuar kompleksin Partizani, ndërkohë që procedura ishte hapur më herët nga Fatos Nano.
“Edi Rama ka hyrë në agoninë e tij politike. Ai i tronditur gjer në palcë nga krimet e tij, nga aferat nga të cilat nuk ka drejtësi në botë që e shpëton. Afera McGonigal, afera e djegësve, afera e stilizimit, afera e portit të Durrësit, Butrintit.
Klubi i Partizanit nuk është nxjerrë nga plani i përhapjes i Forcave të Armatosura me propozimin e Sali Berishës dhe as me firmën e Bamir Topit, por nga presidentë të tjerë para Bamir Topit. Destinacioni i klubit Partizani, nga terren sportiv në truall për ndërtime, është ndryshuar me firmën e Edi Ramës dhe pa propozimin e Sali Berishës. Është ndryshuar pra destinacioni i karakterit sportiv nga vetë Edi Rama. Me dokumenta”, deklaroi Berisha.