Mizoritë e Hamasit dhe hakmarrja e Izraelit do t’i ndryshojnë përgjithmonë të dyja palët. Po dalin në pah llogaritjet e gabuara të udhëheqësve të Izraelit dhe Gazës, shkruan The Economist.
Orët e para të katastrofës ishin një kaos i vërtetë. Banorët e Izraelit Jugor, pranë kufirit me Gazën, u zgjuan nga gjëmimet e raketave dhe bombave. Ata nxituan drejt vendeve të strehimit, diçka që është bërë tashmë një zakon i trishtë në këtë pjesë të vendit, por gjithsesi një zakon me të cilin ishin mësuar.
Pastaj, disa minuta më vonë, u dëgjuan të shtëna armësh gjithnjë e më të forta dhe zëra në arabisht. Kjo nuk ishte aspak e zakontë.
Disa skena të papërfytyrueshme tmerri në Izrael, janë përhapur nëpër mediat sociale: militantë palestinezë që udhëtonin mbi një kamion, duke qëlluar pa pushim me plumba mbi kalimtarët; një pirg të vdekurish në një stacion autobusi, një tjetër në një pikë ushtarake.
Kaloi gjithë mëngjesi dhe nuk erdhi asnjë ndihmë. Izraelitët e dëshpëruar bënin thirrje nëpër emisionet televizive të lajmeve, duke pyetur se ku ishte ushtria e tyre.
Pasojat
Por pasojat e 7 tetorit do të jenë shumë më të gjera. Masakra mund të ndryshojë rrënjësisht, jo vetëm qasjen e Izraelit ndaj palestinezëve, por edhe politikën e tij të brendshme.
Ajo kërcënon kontrollin e Hamasit mbi Gazën dhe rrezikon shpërthimin e një lufte rajonale.
Sulmi filloi me një breshëri prej 2200 raketash brenda pak orësh. Kjo e kapi krejt në befasi Izraelin. Më parë, Hamasit i ishte dashur pothuajse një muaj i tërë për të lëshuar kaq shumë raketa gjatë luftës kundër Izraelit në vitin 2014.
Por izraelitët shpejt zbuluan se këto goditje maskonin një operacion shumë më të madh. Buldozerët thyen mbrojtjen e kufirit izraelit dhe nëpër të kaluan me qindra militantë palestinezë.
Të tjerë fluturuan me parashuta mbi kufirin ose lundruan rreth tij me gomone. Ata u dyndën nëpër qytete dhe fshatra izraelitë dhe filluan të vrisnin.
Izraelit iu deshën me orë të tëra për të organizuar një mbrojtje. Disa njësi duhej të nxitonin nga kufiri verior në atë jugor.
Pasi mbërritën, humbën kohë nëpër stacionet ushtarake duke pritur komandantët që të hartonin aty për aty një plan beteje.
Disa gjeneralë të dalë në pension, veshën uniformat e vjetra dhe udhëtuan vetë drejt fshatrave të rrethuar, për të bërë kundërsulme të improvizuara.
Edhe përpara se të rimerrte kontrollin mbi territorin e vet, Izraeli nisi sulmet ajrore në Gaza. Kryeministri Benjamin Netanyahu, njoftoi se Izraeli ishte në luftë dhe qeveria e tij filloi të përgatitej për një sulm tokësor.
Ushtria ka mobilizuar 360,000 rezervistë dhe për ditë të tëra ka zhvendosur tanke dhe pajisje të tjera në kufirin e Gazës.
Ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, premtoi se do të bëhej një rrethim i plotë i Gazës. “Pa energji elektrike, pa ushqim, pa ujë, pa karburant, gjithçka është mbyllur”. Më 11 tetor, i vetmi termocentral i Gazës mbeti pa karburant dhe u mbyll.
Erez, pika e vetme kufitare midis Izraelit dhe Gazës, është mbyllur për një kohë të pacaktuar. Izraeli u tha civilëve në Gaza që të largoheshin përmes vendkalimit Rafah me Egjiptin, por e ka bombarduar atë vazhdimisht.
Gjithsesi, Egjipti e ka kufizuar rreptësisht numrin e njerëzve që lejohen të kalojnë. Palestinezët e kanë të vështirë të largohen nga Gaza edhe në kohë paqeje. Tani është e pamundur.
Ndërsa përgatitet për të luftuar në Gaza, ushtria izraelite duhet të ruajë kufirin verior. Më 8 tetor, Hizbullah, një grup militant shiit dhe parti politike në Liban, bombardoi zonën Fermat Shebaa, për përkatësinë e së cilës ka pasur grindje me Izraelin.
Çdo gjë është e mundur. Hizbullah mund të tregojë mbështetje për palestinezët, por gjithashtu mund t’i tregojë Izraelit se nuk dëshiron një luftë më të gjerë.
Megjithatë, një ditë më vonë, ushtria izraelite vrau një grup njerëzish të armatosur që kaluan kufirin nga Libani. Më pas tre militantë të Hizbullah-ut u vranë nga bombardimet e Izraelit.
Grupi u hakmor, duke lëshuar raketa mbi një pikë ushtarake izraelite.
Asnjëra palë nuk dëshiron një luftë, por përshkallëzimi i konfliktit nuk udhëhiqet gjithmonë nga logjika.
Qytetarët libanezë kanë grumbulluar me të shpejtë ushqime dhe karburant. Izraeli ka evakuuar qytetet pranë kufirit verior. Hamasi ka bërë thirrje që të tjerët t’i bashkohen sulmit kundër Izraelit.
Veprimi më i fundit ushtarak i Izraelit në Gaza ishte në vitin 2014, kur shkatërroi tunelet që kishte hapur Hamasi nëntokë, për të depërtuar në Izrael.
Forcat izraelite nuk shkuan shumë larg në territorin e Gazës, i cili është rreth 10 km i gjerë dhe 40 km i gjatë, por shtëpia e 2 milionë njerëzve.
Megjithatë, operacioni tregoi se si mund të dështojnë sulmet tokësore. Një njësi e Hamasit sulmoi një patrullë izraelite pranë qytetit Rafah dhe kapi rob një oficer izraelit, Hadar Goldin. Izraeli më pas bombardoi Rafah-un për ditë të tëra, duke vrarë dhjetëra palestinezë.
Goldin më vonë u shpall i vdekur. Izraelitët e quajtën incidentin “E Premtja e Zezë”.
Sulmi i ardhshëm do të jetë shumë më i madh. Izraeli ka të ngjarë të dërgojë dy divizione të blinduara dhe një divizion më të lehtë ajror, secili me nga pesë brigada.
Disa nga këto njësi janë duke pritur që tanket dhe pajisjet e nevojshme të mbërrijnë në zonat rreth Gazës. Të tjerë kanë pësuar humbje gjatë disa ditëve luftimesh.
Po të hamendësojmë se udhëheqësit e Izraelit do të urdhërojnë një pushtim në shkallë të gjerë, ndoshta një ose dy brigada të blinduara me tanke do ta ndanin Rripin e Gazës më dysh, duke përparuar drejt perëndimit në pikën e tij më të ngushtë prej 6 km, afër qytetit Deir al-Balah.
Dy ose tri njësi të tjera, me disa mijëra ushtarë secila, ndoshta do të përqendroheshin në veri, duke përfshirë zona si Gaza City dhe një ose dy zona të tjera në Khan Yunis ose Rafah në jug.
Ndoshta shënjestra e tyre do të jetë njëkohësisht Hamasi dhe Xhihadi Islamik, një grup i veçantë militant, që përqendrohet në infrastrukturën përtej mundësive të sulmeve ajrore.
Hamasi ka pohuar se në Gaza ka tunele që shtrihen disa qindra kilometra. Izraeli me siguri do të përqendrohet në gjetjen e hyrjeve të tyre dhe bombardimin me eksplozivë.
Sfida më e madhe do të jetë lufta urbane, një detyrë jashtëzakonisht e vështirë. Gaza është më e populluar se Londra apo Tokio, çka do të thotë se militantët kanë shumë vende për t’u fshehur dhe civilët pak vende për t’u strehuar.
Çfarë do të ndodhë?
Edhe nëse Izraeli mund të arrijë ta çrrënjosë Hamasin, askush nuk është i sigurt se çfarë do ta zëvendësonte atë.
Autoriteti Palestinez është shumë i dobët për të pretenduar autoritetin në Gaza; ai nuk është as mjaftueshëm i fortë sa të kontrollojë Bregun Perëndimor, pjesë të të cilit kanë rënë në anarki.
Një shumicë palestinezësh dhe banorësh të Gazës duan ta shpërbëjnë fare atë. Mahmoud Abbas, presidenti 87-vjeçar, nuk ka shkelur në Gaza për gati 20 vjet.
Janë bërë disa biseda të kota për dërgimin e paqeruajtësve arabë për të siguruar Gazën, por pak regjime arabe do të dëshironin ta bënin këtë. Egjipti e pushtoi Gazën nga viti 1949 deri në vitin 1967; të dyja palët kanë kujtime të hidhura nga ajo kohë.
Shtetet e Gjirit Persik si Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë dëshirë të sundojnë mbi 2 milionë palestinezë. As shumica e izraelitëve nuk dëshirojnë të ripushtojnë territorin.
Megjithatë, po të pushtonin dhe pastaj të largoheshin, nuk do të ndryshonte status quo-ja. Udhëheqësit e Hamasit dhe një pjesë e madhe e luftëtarëve të tij, me siguri do të dalin nga bunkerët dhe do të rivendosin kontrollin mbi Gazën, menjëherë sapo izraelitët të largohen.
Kjo është një rrjedhojë e pakëndshme, por edhe më e mundshmja.
Gjetja e një rruge të qartë do të ishte e vështirë për çdo qeveri izraelite, por veçanërisht për atë të tanishmen. Ky ka qenë një vit me trazira të thella politike.
Netanyahu fitoi një shumicë vendesh parlamentare në zgjedhjet e parakohshme në nëntor, pas më shumë se një viti në opozitë.
Ai kryeson një qeveri të përbërë tërësisht nga partitë e djathta dhe fetare. Ministri për Sigurinë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, e ka pasur të ndaluar të shërbejë në ushtrinë izraelite, për shkak të pikëpamjeve të skajshme nacionaliste.
Netanyahu ka ndjekur një axhendë përçarëse, duke kufizuar autoritetin e Gjykatës së Lartë për të përmbysur politikat e qeverisë dhe duke u dhënë politikanëve më shumë peshë në emërimin e gjyqtarëve.
Kritikët e kanë quajtur këtë një “grusht shteti” gjyqësor dhe kanë organizuar protesta të mëdha çdo të shtunë të këtij viti, deri më 7 tetor, kur ato u pezulluan.
Rezervistët e ushtrisë kërcënuan se do të bojkotonin shërbimin e detyrueshëm (edhe kjo taktikë është anuluar).
Optimistët shpresojnë se masakra e këtij muaji do të ndihmojë për të zhvendosur politikën izraelite përsëri drejt qendrës.
“Nëse mund të ketë një pajtim pas këtyre ditëve të errëta, ai do të jetë që Izraeli të vijë në vete, t’i japë fund krizës politike dhe të formojë një qeveri të bashkuar”, shkroi Shimrit Meir, këshilltar i Naftali Bennett, i cili në vitin 2021, zëvendësoi për një kohë të shkurtër Netanyahu-n si kryeministër.
Në një fjalim më 9 tetor, Netanyahu u kërkoi partive të qendrës që t’i bashkohen qeverisë së tij “pa parakushte”.
Më 11 tetor, pas disa ditësh bisedime, Benny Gantz, ish-shef i ushtrisë që drejton partinë e dytë më të madhe centriste, Bashkimi Kombëtar, ra dakord që të bashkohej me një “qeveri urgjente” të përkohshme.
Por Yair Lapid, kreu i partisë më të madhe opozitare, Yesh Atid, deri tani nuk ka pranuar të marrë pjesë./ Monitor