Këngëtarja e njohur Shkurte Fejza ka folur për eksperiencën e saj si këngëtare me një karrierë 50-vjeçare në skenë, si edhe për këngën “Mora fjalë” që tashmë për shqiptarët është kthyer në himn.
Në një intervistë televizive, Fejza tha se kënga erdhi si një bashkëpunim me kompozitorin Naim Gjoshi duke e cilësuar atë kulmin e suksesit në karrierë. Ndër të tjera, artistja tha se më e bukura është kur këngët e një artisti këndohen nga të gjithë të pranishmit në koncert.
“Këngën “Mora fjalë” e kemi dhuratë nga kompozitori i mirënjohur Naim Gjoshi. Me Gjoshin unë bashkëpunojë prej 30 vitesh. Puna e Naimit u shpërblye më këtë këngë. Kënga “Mora fjalë” është kulmi i suksesit. Jam shumë e lumtur që e këndojnë të gjithë. Kjo këngë ka dalë në vitin 2003. Ka 20 vjet. Unë kam bashkëpunuar që nga ’90 me kompozitorët e Shqipërisë, e mbase kombinimi ka bërë këto këngë të bukura. Janë 50 vjet një skenë, është një jetë e tërë. Gjithçka është e bukur, ka sakrificën. Kemi kaluar periudha të vështira.
Kënga na ka mbajtur gjallë. E kam ndjerë si detyrime e kemi kaluar periudha të vështira. Jam munduar që këngët e mia t’i lidh me periudha të vështira që i kemi prek. Tani që jemi të lirë, në saje të gjithëve që dhanë jetën, sikur po marrim frymë lirshëm. Gjithmonë mendojmë se po bëjmë më pak se po bëjmë. E bukura e koncerteve është kur këndohen këngët tua”, tha ajo.