Policia e Shkodrës ka zbardhur një vrasje të ndodhur mesditën e djeshme, në fshatin Boks. Ngjarja fillimisht u raportua si vdekje natyrale pasi trupi i pajetë i 70-vjeçarit Musa Bajraktari, banues në fshatin Kullaj u gjet në një kanal. Por më pas rezultoi se ai ishte qëlluar me një mjet prerës. Pas hetimeve policia ka arrestuar si autorin e dyshuar të vrasjes 60-vjeçarin Xhemal Zeqiri, banues në fshatin Kullaj, fqinj me viktimën.
Nga provat e siguruara dyshohet se 60-vjeçari, pas një konflikti për motive të dobëta ka goditur me një sëpatë në kokë Musa Bajraktarin. Pas goditjes 70-vjeçari ka rënë në kanalin e fshatit Boks, ku u gjet më pas i pajetë.