Kuvendi nuk ka mundur të zhvillojë sot seancën plenare. Ashti siç ishte paralajmëruar deputetët e Opozitës kanë bllokuar punimet e Kuvendit. Para se të fillojë seanca ata kanë bllokuar vendet ku ulet kryetarja e kuvendit dhe anëtarët e kabinetit qeveritar.
Në pamundësi për të zhvilluar normalisht punimet drejtuesja e seancën, zëvendëskryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj ka njoftuar shtyrjen e saj. Deputetët e Opozitës kanë qëndruar në sallën e parlamentit edhe pas shtyrjes së saj, madje edhe kur administrata e Kuvendit fiku dritat.
Duke përdorur rrjetet sociale ish-kryeministri Sali Berisha ka mbajtur një fjalim nga salla e Parlamentit duke akuzuar shumicën socialiste se nuk po lejon opozitën të kryejë funksionin e saj.
‘’Kjo është dita e parë e betejës sonë me këta gangsterë. Ka raportet më të zeza me lidhjet me grupet e drogës tek grupet në Ekuador dhe në vendet e tjera. Ka raportet më të zeza, në liritë e të drejtat e qytetarëve dhe dhunimin masiv të votës. Jam i bindur se qindra mijëra nga ju do donit të ishit të pranishëm në sallë, por theksoj se sot dhe deri në rikthimin e votës së lirë, betejën do e zhvillojmë se bashku. Ne do u përfaqësojmë në Parlament. Ne e duam shumë Parlamentit, ne e kemi krijuar pluralizmin’, – tha Berisha.