Fituesi i çmimit Nobel për Paqe, Martti Ahtisaari i cili shërbeu si presidenti i 10-të i Finlandës midis viteve 1994 dhe 2000 dhe hartuesi i planit që çoi në pavarësinë e Kosovës, vdiq sot në moshën 86-vjeçare.
“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për vdekjen e presidentit Martti Ahtisaari. Ai besonte në njerëzit, qytetërimin dhe mirësinë dhe ai jetoi një jetë të mrekullueshme, të jashtëzakonshme”, shkroi presidenti finlandez Sauli Niinistö.
Ahtisaari u çmua në mbarë botën për ndërmjetësimin e paqes në Kosovë, Indonezi dhe Irlandën e Veriut. Ai refuzoi të pranonte se luftërat dhe konfliktet ishin të pashmangshme.
“Paqja është çështje vullneti. Të gjitha konfliktet mund të zgjidhen dhe nuk ka justifikime për t’i lejuar ato të bëhen të përjetshme,” tha zoti Ahtisaari neë ceremoninë e pranimit të çmimit Nobel në vitin 2008.
Fama e tij botërore rriti imazhin e Finlandës pasi ajo doli nga hija e ish Bashkimit Sovjetik.
Në vitin 2006 ai udhëhoqi bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për statusin e Kosovës dhe në mars të vitit 2007 paraqiti planin që parashihet pavarësinë e mbikëqyrur. Me 17 shkurt të vitit 2008 Kosova shpalli pavarësinë e saj mbi bazën e atij plani.
Në shtëpi, Martti Ahtisaari ishte gjithmonë një “i huaj” politikisht. Por, pikërisht mungesa e lidhjeve politike e ndihmoi atë të fitonte zgjedhjet e para të drejtpërdrejta presidenciale në Finlandë, në vitin 1994, në krye të opozitës socialdemokrate.
Si president, ai mbështeti anëtarësimin e Finlandës në Bashkimin Evropian dhe inkurajoi votuesit të mbështesin referendumin e anëtarësimit të vitit 1994, i cili kaloi me 57 për qind mbështetje.
Në vitet e mëvonshme ai u largua nga linja e partisë së tij duke inkurajuar Finlandën të bëhej një anëtare e NATO-s. Kjo ndodhi vite përpara se Finlanda t’i bashkohej përfundimisht aleancës në vitin 2023, pas agresionit rus në Ukrainë.