Biletat për ndeshjen e sotme Shqipëri-Çeki u shitën në më pak se një orë, duke bërë që edhe faqja ku shiteshin të mbyllej për disa orë si pasojë e mbingarkesës. Edhe 1000 biletat që dolën në shitje dy ditë më parë, u shitën në më pak se 30 minuta.
Por duket se disa orë para ndeshjes, ka nisur ‘të lulëzojë’ tregu i zi për shitjet e biletave. Policia ka njoftuar se ka vënë nën hetim 4 persona të cilët kishin nxjerrë në shitje online biletat që kishin blerë për veten e tyre. Nën hetim janë vendosur shtetasit S.A., 35 vjeç, R.H., 22 vjeç, A.O., 31 vjeç dhe E.Gj., 34 vjeç, të katërt banues në Tiranë.
Policia ka arritur të mësojë se këto bileta shiteshin në treg të zi deri në 400 euro një biletë.