Studentët e Mjekësisë po vijojnë protestën e tyre për të mbrojtur kuazën e mos-firmosjes së kontratës që i detyron ata të punojnë në Shqipëri 5 vite pasi të diplomohen. Ata fillimisht bllokuan hyrjen e godinës së Universiteti të Mjekësisë ku zhvillohet mësimi dhe më pas janë drejtuar tek Ministria e Arsimit. Ata janë ulur këmbëkryq në tokë dhe kanë bllokuar kryqëzimin në zonën e njohur edhe si 9-katëshet në Tiranë.
Ditë e djeshme zv.ministrja e Arsimit, Albana Tole u shpreh se studentët që nuk firmosin marrëveshjen, ta lënë shkollën sa janë në kohë.
Kësaj deklarate studentët e mjekësisë i janë përgjigjur ‘dhëmbë për dhëmbë’.
“Ne studimet nuk i lëmë, por zv.ministrja e Arsimit Albana Tole duhet të japë dorëheqjen. Nuk ka më heshtje, s’ka më pritje, ne studentët duam zgjidhje”, thonë ata.
Një ndër parullat që ata mbajnë në duar është edhe:
“Mjekësia bojkoton, mjekësia proteston”.