Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka shfryrë inatin ndaj vartësve të tij, pasi ka marrë ankesa se policët nuk dinë të komunikojnë. Ai u ka tërhequr vëmendjen vartësve të tij për disa ankesa të qytetarëve ndaj punës së strukturave të uniformave blu gjatë ditëve të fundit.
Të dhënat janë bërë me dije nga “Euronews”, ku mësohet se kryepolici Nano e ka cilësuar të papranueshme sjelljen e disa punonjësve të Policisë në bazë të perceptimit të qytetarëve:
“Ditët e fundit, mua si drejtor i Përgjithshëm më kanë ardhur shumë komente të qytetarëve për punën e Policisë së Shtetit. Gjithashtu, kam ndjekur me vëmendje shumicën e reagimeve të qytetarëve në rrjetet sociale. Duke anashkaluar reagimet politike, mllefin e qytetarëve e me të drejtë, kam seleksionuar vetëm disa prej tyre që për mua janë shumë shqetësuese. Qytetarët më së shumti ankohen për sjelljen e punonjësve të Policisë, më shumë për rrugoren, patrullat, shqiponjat, Policinë kufitare e atë kriminale”.
Ai është ndaluar te puna e Policisë Kriminale ku sipas tij qytetarët kanë lënë të kuptohet se kjo strukturë është arrogante dhe që e zbaton ligjin në bazë të xhepit të vet.