Tirana zyrtare ka dalë kundër deklaratës së Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi. Kryeministri Edi Rama tha gjatë një konference me zv.kryeministrin italian se deklarata nuk i përgjigjet realitetit të ditëve të fundit.
Rama deklaroi se kjo është hera e parë në 10 vite që Shqipëria kundërshton BE-në.
“Për t’u kthyer te pyetja lidhur me qëndrimin tonë për të herë të parë, të paktën në 10 vitet e fundit në kundërshtim me një deklaratë të politikës së jashtme të Bashkimit Europian, ky qëndrim lidhet me faktin se deklarata e Bashkimit Europian është një deklaratë, e cila jo se në vetvete ka problem, pasi adreson gjithçka që është thënë më parë nga përfaqësuesi i lartë Borrell lidhur me detyrimet e Kosovës në raport me dialogun, por ka një problem të madh që nuk i përgjigjet realitetit të ditëve të fundit, e kemi të pamundur pa parë një deklaratë të dytë që i adreson ngjarjeve të ditëve të fundit, pasi është vrarë një efektiv i policisë së Kosovës”, deklaroi Rama.