Është neutralizuar zjarri i cili përfshiu fabrikën e bojërave Deutsch Color në Maminas. Për shuarjen e flakëve u angazhuan 15 mjete zjarrfikëse, 67 forca zjarrfikëse dhe 200 forca policie. U deshën më shumë se 4 orë për të fikur flakët.
Zjarri ra brenda ambienteve të fabrikës rreth orës 22:30 të mbrëmjes së djeshme. Në momentin që ka rënë zjarr, brenda në fabrikë nuk ka pasur punonjës, por vetëm rojet të cilët kanë qenë në ambientet e jashtme të fabrikës. Nga përhapja e flakëve nuk ka asnjë person të dëmtuar.
Policia evakuoi banorët që jetonin pranë fabrikës dhe bllokoi për disa orë kalimin në autostradën Tiranë-Durrës. Lëndët kimike që ndodheshin brenda fabrikës si lëndë e parë për prodhimin e bojërave kanë ndihmuar që zjarri të përhapej dhe të shkaktonte dëme të shumta materiale.