Në bashkinë e Kukësit do të mbahen nesër zgjedhjet për kreun e ri, pas shkarkimit të Safet Gjicit për skandalin seksualin në zyrën e shtetit.
Policia ka publikuar planin e masave që do të zbatohet nesër për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Në terren janë angazhuar 99 punonjës policie që do të sigurojnë materialet zgjedhore në 74 qendrat e votimit dhe në vendnumërimin e votave pranë KZAZ-së nr. 11 Kukës. Për garantimin e rendit dhe qetësisë publike, në vazhdimësinë e shërbimeve që kryen Policia e Shtetit çdo ditë, janë angazhuar dhe 78 punonjës të tjerë policie.
“Punonjësve të Policisë iu është kërkuar të tregojnë profesionalizëm e korrektësi në detyrat e përcaktuara në planin e masave përsa i përket marrjes në ruajtje të objekteve zgjedhore dhe të udhëzimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe të Komisariatit të Policisë Kukës janë tejet të vendosura dhe të angazhuara për të mbajtur në kontroll të plotë të gjithë territorin, me qëllimin e vetëm, sundimin e ligjit. Në këtë kuadër apelojmë për të gjithë qytetarët dhe subjektet e përfshira në këtë proces, që të respektojnë plotësisht të gjitha detyrimet ligjore me të cilat i ngarkon Kodi Zgjedhor dhe ligjet e tjera. Gjithashtu, Policia e Shtetit garanton qytetarët se ka ndërmarrë të gjitha masat, që e drejta e tyre kushtetuese për zgjedhjen e drejtuesit të pushtetit lokal, të ushtrohet e lirë, e qetë, e pacenuar dhe e paintimiduar prej askujt”, njofton policia.