Dhoma Amerikane e Tregtisë ka shprehur kritika ndaj projektligjit “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet” të hedhur për konsultim muajin e kaluar nga qeveria shqiptare.
Sipas komenteve të publikuara nga Dhoma Amerikane, një nga problematikat kryesore që vërehen në këtë projektligj është mungesa e efikasitetit në skemën e propozuar. “Konstatojmë se është i rëndësishëm të bëhet një studim përveç rekomandimeve që të sqarojë nevojën mbi bazën e të cilit rezulton që një skemë e tillë mund të realizohet.
Referenca në modelet e Turqisë, Rumanisë dhe Filipineve si dhe rekomandimet nga organizatat e huaja nuk mund të jenë baza justifikuese dhe as të mjaftueshme për një projekt të tillë.
Studimi duhet të dalë nga konteksti lokal mbi rrezikun sizmik, nga kultura juridike dhe në mënyrë të veçantë nga kultura e sigurimeve si dhe kushteve ekonomike. Mungesa dhe mospjesëmarrja në skemat e sigurimit vjen kryesisht nga burimet e kufizuara financiare.
Gjithashtu, duam të theksojmë se sigurimi i banesës është mbi të gjitha një opsion dhe e drejtë e pronarit duke qenë në interes të drejtpërdrejtë të tij. Në këtë aspekt nuk na duket e drejtë imponimi i një police të tillë,” thuhet në komentet zyrtare të Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Një çështje e rëndësishme që duhet të parashikojë ky projektligj, sipas Dhomës Amerikane, është rregullimi dhe normimi i shumës së sigurimit, primit për tu paguar dhe kushtet e policës së sigurimit, çështje të cilat meritojnë vëmendje dhe kujdes të posaçëm për impaktin financiar që kanë, sidomos në një shoqëri ku mungon kultura e sigurimit.
Rekomandimi është që të ketë një orientim paraprak mbi këtë pjesë pa pritur daljen e Vendimit të Këshillit të Ministrave me hyrjen në fuqi të ligjit.
Nga ana tjetër, Dhoma Amerikane vëren se sigurimi i parashikuar në ligj është jo i plotë, pasi parashikon sigurimin vetëm nga tërmetet, dhe jo nga fatkeqësitë e tjera natyrore si zjarret apo përmbytjet dhe siguron vetëm banesën dhe jo lëndimet dëmet indirekte që mund të shkaktohen nga katastrofat.
Dhoma Amerikane kritikon gjithashtu përjashtimin e plotë që projektligji i ka bërë kompanive private të sigurimit, që nuk parashikohen në asnjë hallkë të skemës.
“Produkti i sigurimit të pronës nga tërmeti shitet tashmë prej vitesh nga kompanitë e sigurimit privat që operojnë në vendin tonë. Këto kompani njohin produktin, riskun që ka, janë të shtrira në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, kanë staf të trajnuar me ekspertë të cilët ndjekin çdo rast sigurimi pronë nga afër dhe e informojnë mirë klientin.
Në këtë projektligj propozohet që shitja e policave të sigurimit të bëhet nëpërmjet një agjenti të vetëm, që do të përzgjidhet me Vendim Qeverie.
Një skemë e tillë do të linte jashtë skemës së tregtimit të policës shoqëritë private të licencuara të sigurimeve, të cilat nuk do të mund të vepronin as qoftë edhe si agjentë shitjeje ose trajtues të kërkesave për dëmshpërblim.
Pra, ky projektligj nuk e përfshin në asnjë formë sektorin privat të sigurimeve. Nëse ky ligj miratohet në këtë formë, kjo do të rrezikonte t’i hiqte tregut privat të sigurimeve produktin kryesor të sigurimit vullnetar. Mendojmë që do të ishte më e përshtatshme që praktikat e dëmeve dhe sigurimeve të bëhen nga kompanitë e sigurimit të cilat tashmë i kanë strukturat e ngritura.
Gjithashtu shteti mund të krijojë një bashkëpunim me kompanitë lidhur me sigurimin e detyrueshëm nga tërmeti (njëlloj si me produktin e sigurimit të detyrueshëm të automjeteve TPL), p.sh.- pagesa për sigurimin e pronës mund të bëhet tek kompanitë e sigurimit, ose direkt në llogarinë e shtetit nëpërmjet kompanive të sigurimit dhe me këtë rast klient mund të përfitojë edhe nga mbulime shtesë përveç tërmetit,” thuhet në komentet e Dhomës Amerikane.
Dhoma Amerikane nënvizon gjithashtu se pagesa e primit të sigurimit në favor të bankave për financimin e blerjes dhe sigurimi i detyrueshëm, sipas projektligjit, mbivendosen dhe pavarësisht se pronari do të paguajë dy shuma primesh, ai mund të kompensohet vetëm për një vlerë të caktuar aq sa është shuma e dëmit. Në këto kushte, sugjerohet që pronat që janë siguruar në favor të bankave, apo me sigurim vullnetar pranë një shoqërie sigurimi, të mos jenë subjekt i sigurimit të detyrueshëm.
“Për më tepër është e pajustifikuar në gjykimin tonë arsyeja e limitimit të përgjegjësisë për tërmete mbi 5 ballë kur ndërkohë dëmet mund të ndodhin edhe për goditje të një shkalle më të ulët për shkak të intensitetit dhe kohëzgjatjes së goditjes apo pasgoditjeve?
Me rëndësi në gjykimin tonë është gjithashtu që fryma e projektit e cila duhet të orientohet në iniciativa për ata që zbatojnë ligjin dhe jo nga fryma ndëshkuese si mosaksesimi në e-Albania etj të paktën për një periudhë të caktuar pas hyrjes në fuqi të ligjit,” thuhet në komentet e Dhomës Amerikane.