30 kilogramë kanabis dhe 500 gramë kokainë janë sekuestruar gjatë një operacioni antidrogë në Fier. Në kuadër të këtij operacioni të quajtur “Vakum, policia ka vënë në pranga dy persona, dhe një tjetër është shpallur në kërkim si organizator i kësaj veprimtarie kriminale.
Sipas drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë së Fierit, Lorenc Panganika droga e kapur u gjet në pako dhe e presuar, gati për t’u transportuar drejt Greqisë.
Gjatë kontrolleve në banesë janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 peshore elektronike, mjete ambalazhi dhe mjete që shërbenin për presimin e lëndëve narkotike.
“Është kryer kontroll në banesën e shtetasit E.M dhe në automjetin e dyshuar që do të bënte transportin e lëndës narkotike. Rezultoi që në dysheme, në hapësirën e përgatitur posaçërisht në këtë automjet u gjetën 30 kilogramë lëndë narkotike kanabis dhe 500 gramë lënë narkotike kokaine. Lënda narkotike ishte e ndarë në pako dhe e presuar me qëllim trafikimin drejt shtetit grek”, njoftoi policia.
Pas kontrolleve në banesë gjetën 3 peshore elektronike, mjete ambalazhi, mjete që shërbenin për presimin e lëndëve narkotike etj. Për këtë arsye u bë arrestimi në flagrancë i B.Sh 43 vjeç dhe O.M, 71 vjeç, të dy banues në fshatin Cakran për prodhim dhe shitje narkotike dhe mbajtja e transportimi i substancave kimike.
Vijon puna për kapjen e E.M. Policia njoftoi se po vijojnë hetime për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë veprimtari kriminale”, njoftoi drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë së Fierit, Lorenc Panganika.