Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave në kuadër të ndeshjes Shqipëri-Poloni, e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024. Sfida do të luhet në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”.
Disa akse rrugore do të jenë të kufizuara dhe do të ndalohet qarkullimi i mjeteve duke filluar nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes. Konkretisht, rrugët e bllokuara do të jenë:
-bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 m mbi urën e Dajtit;
-rruga “Papa Gjon Pali II”;
-rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së;
-rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së”;
-rruga “Themistokli Gërmenji”;
-rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i liceut;
-rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;
-rruga “Jul Variboba”, pranë postës;
-rruga “ Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës;
-rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.
“Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike monedha metalike, çadra, çakmak, karikues telefoni dhe sendeve të tjera të forta të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.
Me këtë rast, informojmë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, se në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.
Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet. Portat e hyrjes në stadium, ditën e ndeshjes, do të hapen në orën 17:00”, thuhet në njoftim.