Zjarri që ka përshirë një sipërfaqe me ullishte dhe shkurre në kodrat e fshatit Zhame, në Lushnje është shuar mëngjesin e sotëm. 15 mjete zjarrfikëse kanë punuar gjatë natës për të mbajtur nën kontroll flakët dhe mos lejuar që zjarri t’ju afrohej banesave. Në ndihmë të zjarrfikësve të Lushnjes kanë shkuar edhe mjete nga Fieri, Divjaka dhe Berati. Ndërkaq që dje në mbrëmje janë evakuuar banorët e disa shtëpive që janë afër vatrës.
Zjarri në kodrat e fshatit Zhame ka rënë dje pasdite. Policia bëri me dije se ishte zjarrvënie e qëllimshme dhe arrestoi autorin e kësaj ngjarjeje, Ramadan Zoga 58 vjeç. Mësohet se Zoga ka ndezur zjarr për të djegur mbeturinat por i ka dalë jashtë kontrollit.