Kryebashkiaku i Tropojës, Rexhë Byberi është kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Byberi është denoncuar nga banorët e zonës për favorizim të familjarëve dhe shpërdorim detyre. Sipas denoncimit, Byberi ka shkelur ligjin duke favorizuar familjarët e tij.
“Ne kallëzuesit jemi banorë të Bashkisë Tropojë, ku po bëjmë rreth 3 vjet që sorollatemi nga kryetari i bashkisë Rexhe Byberi duke mos gjetur zgjidhje. Kryetari i bashkisë Tropojë Rexhe Byberi është i përfshirë në aktivitete kriminale , dhe për këtë arsye jemi duke bërë këtë kallzim ku e akuzojmë për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penale dhe për veprën penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor”. Këtë aktivitet kriminal ky kryetar bashkie e ushtron me djemtë e xhaxhait të tij ku një prej tyre është dhe i kallzuari prej nesh Avni Byberi, akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor” parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale” të parashikuar nga neni 287 i K.Penal.”, thuhet në denoncimin e banorëve.