28-vjeçari Emiliano Nina vijon të jetë në kërkim për aksidentin te diga e Liqenit Artificial në Tiranë. Mjeti tip BMW X6 humbi kontrollin, doli nga rruga dhe përfundoi mbi digë.
Ndërkohë janë zbardhur deklarimet e Eldi Allushi, i arrestuar pasi pengoi në zbardhjen e së vërtetës. Allushi ka deklaruar para uniformave blu se nuk ka qenë brenda makinës në momentin e aksidentit dhe se mjeti drejtohej nga Emiliano Nina dhe pasagjer ishte kushëriri Jurgen Allushi.
“Nuk i tregova policisë se nuk doja t’i bëja keq Emilianos. Ai ma kërkoi makinën dy herë për të marrë një shoqe dhe unë ia dhashë. Emiliano pasi erdhi nga aksidenti fjeti gjumë, mua s’më tregoi. Më mori në telefon një oficer policie dhe i thashë që do paraqitem vetë në polici. Për 5 orë nuk u paraqita në polici pasi kisha frikë. Automjetin ma bëri dhuratë xhaxhai im disa kohë më parë”, ka thënë Eldi Allushi.
Allushi ka thënë se nuk kishte konsumuar alkool por vetëm një cigare hashash, gjë që ka rezultuar një alibi për të fshehur ngjarjen. Ndërsa kushëriri i tij, Jurgen Allushi që ishte pasagjer në mjet, deklaroi se ai kishte konsumuar ujë. Kurse Emiliano Nina, sipas deklarimeve, kishte konsumuar 3 birra kur ndodhi aksidenti.