Zbardhen detaje të reja nga dosja e koncesionit të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale. Në dosjen e SPAK janë të zbardhura me detaje lidhja e ngushtë mes ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj, që ka fituar koncesionin. Në vitin 2014 zëvendësministri Rjepaj mori dy e-maile nga biznesmeni Ilir Rrapaj, përmes së cilave i dërgon dy studime të universitetit të Peruxhias, që u përfshinë më pas në studimin e fizibilitetit.
“I dashur Fra’! Ky është teksti që të paralajmërova, për të cilin Vanesa më shkruante. Hidhi një sy dhe na çoni haber. Shpresoj të të ketë lëshuar sadopak dhimbja e veshit tanimë”, i shkruante Rrapaj zv.ministrit Rrjepaj. Në të njëjtën ditë, më 17 mars 2014, zv.ministri ia pason e-mailin shefit të tij, ministri të Shëndetësisë, Ilir Beqaj në e-mailin zyrtar dhe atë privat.
Në dosjen e SPAK janë pasqyruar edhe gjetjet që ka bërë Kontrolli i Lartë i Shtetit nëpërmjet një raporti. KLSH ka ngritur shqetësimin se kostot janë fryrë shumë dhe kanë shkaktuar dëm në buxhetin e shtetit. Sipas KLSH kontrata koncesionare ka fryrë kostot e procesit të sterilizimit të mjeteve kirurgjikale në masën e 56.4% krahasuar me sektorin publik.
Në dosje përfshihet direkt ish-ministri Beqaj pasi në 2011-2012 u ndërtua qendër sterilizimi me kapacitet 60 mijë operacione nuk u vendos në punë. Edhe pse Beqaj ishte në dijeni të kësaj qendre sterilizimi, sërish dha me koncesion sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale.