Pas më shumë se 3 vite hetime nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit për koncesionin e sterilizimit, GJKKO ka firmos 8 urdhër-arreste. Mes të arrestuarve është ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodjan Rrjepaj i cili akuzohet për shpërdorim detyre. Ishte përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim në vitin 2014.
Në pranga është vendosur edhe biznesmeni Ilir Rrapaj. Ai së bashku me një grup kompanish italiane kishte marrë 40% të aksioneve, koncesionin që kapi vlerën e 100 milionë euro. Biznesmeni akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Gjykata ka dhënë masën “arrest në shtëpi” për Saimir Kadiun, drejtor ekonomik në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Marsela Serjanaj, drejtoreshë juridike në po këtë institucion. Ndërsa ‘detyrim paraqitje’ është dhënë për rektorin e Universitetit të Mjekësisë Arben Gjata, Pertef Mersinin, Genc Burazerin dhe Naile Ajazin. Ata akuzohen për falsifikim dhe shpërdorim detyre.
Kujtojmë se për këtë çështje për afro 2 orë e 30 minuta u mor në pyetje më datë 4 gusht të këtij viti, ish-ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj. Ish-ministrja dha deklarime lidhur me koncesionin e sterilizimit të nënshkruar në vitin 2015 nga ministria e Shëndetësisë.
Për koncesionin e sterilizimit më herët është marrë në pyetje edhe ish-ministri Ilir Beqja. Lidhur me këtë koncesionin SPAK ka regjistruar çështjen në vitin 2020 për 3 akuza që janë shpërdorim detyre, shkelje të barazisë në tendera dhe korrupsion pasiv. Prokuroria e Posaçme ka ngritur dyshime se ka pasur favorizim të kompanisë fituese gjatë procedurave të ndjekura.
Ndërkohë ditën e sotme është paraqitur në SPAK për herë të dytë ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani. Ai pritet të pyetet në lidhje me një shkresë të firmosur në 2015.