Rritja e çmimeve veç të tjerash ka shërbyer si një taksë e fshehtë për konsumatorët. Për çdo njësi të mallrave me çmimeve të rritura konsumatorët paguan me shumë nga tatimet që vilen në përqindje të tilla si TVSH-ja. Ministria e Financave raportoi se vitin e kaluar doganat arkëtuan rreth 13 miliardë lekë ose 115 milionë euro ne formën e TVSH-së nga rritja e çmimeve të energjisë, karburanteve dhe metaleve bazë.
Të ardhurat nga Administrata Doganore për vitin 2022 arritën në 223.1 miliardë lekë ose rreth 30.2 miliardë lekë më shumë sesa një vit më parë, me rritje 15.7 %. Nga kjo shumë 13 miliardë lekë ose 5,8 e totalit te të ardhurave ishin si rrjedhojë e rritje së çmimeve që kulmuan pas luftës në Ukrainë.
Rritja e çmimit të karburant import ka dhënë efekt pozitiv prej 5,3 miliardë lekë, rritja e çmimit të energjisë elektrike ka dhënë efekt pozitiv prej 4.9 miliardë lekë dhe rritja e çmimit të metaleve bazë dhe artikujt e tyre dha një efekt pozitiv prej 2.9 miliardë lekë ose 26%.
Krahasuar me vitin 2021, ishin me rritje Tatimi mbi Vlerën e shtuar në import (+19.5 %), Akciza (+3.7 %), Taksa doganore (+13.3 %) dhe Renta minerare (+71.1 %), kryesisht nga çmimet më të larta. Ministria e Financave argumentoi se performanca pozitive krahasuar me planin erdhi nga rritja e volumit te importeve shoqëruar me rritjen së çmimeve të mallrave në tregjet ndërkombëtare çka ndikoi pozitivisht në të ardhura nga veprimtaria doganore.
Rritja e çmimeve u shndërrua në një barrë të rëndë për konsumatorët kudo në botë vitin e kaluar të cilët u përballen me një rritje rekord të inflacionit. Çmimet e larta penguan prosperitetin për uljen e varfërisë, por nga ana tjetër qeveritë rritën arkëtimet buxhetore nga inflacioni.
Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar këshilluan qeverinë shqiptare që të ardhurat e arkëtuara më shumë se plani ti rishpërndanin në formën e mbështetjes sociale për familjet e varfra. Vetëm nga TVSH-ja qeveria ka arkëtuar rreth 13 miliardë lekë më shumë vitin e kaluar, por shpërndau për familjet në nevojë vetëm 6 miliardë lekë rreth 55 milionë euro, në formën e paketave të menjëhershme.
Të dhënat tregojnë se arkëtimet e qeverisë nga rritja e çmimeve ishin shumë më të larta se paketa e rezistencës që u shpërnda ndaj shtresave vulnerabil për ti mbrojtur nga inflacioni./ Monitor