Kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka reaguar për ngjarjen e ndodhur në Hamallaj ku shoferi i saj Martin Nikolli, njëherazi edhe punonjës i Gardës së Republikës, u përfshi në dhunimin me sende të forta të anëtarëve të familjes Kaçi.
Nikolla shprehet se pavarësisht pozicionit që mbante, Martin Nikolli duhet të marrë dënimin e merituar. Kryeparlamentarja i ka bërë thirrje organeve kompetente të dënojnë këdo që ka gisht në këtë rast flagrant të ndodhur në Hamalla, mes dy familjeve.
“Ngjarja e ndodhur sot në Hamallaj, ku është përfshirë efektivi i Gardës së Republikës (që nga viti 2006) Martin Nikolli është e dënueshme.
Dëshiroj të përshëndes Policinë e Shtetit për ndalimin e menjëhershëm të personit në fjalë dhe të inkurajoj organet e drejtësisë për zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes dhe dënimin e kujtdo që ka gisht në këtë rast flagrant, pavarësisht pozicionit ku ka shërbyer deri më sot.
Në të njëjtën kohë, solidarizohem plotësisht me familjen Kaçi dhe i siguroj se institucionet e Republikës janë të angazhuara dhe në krye të detyrës për t’i ofruar të gjithë mbrojtjen që parashikon ligji”, shprehet ajo.