Qeveria ka dërguar në Kuvend projektligjin për lejimin e basteve sportive online. Në rang vendi do të jenë deri në 10 licenca kombëtare me afat 10 vjeçar.
Për të përfituar licencën, është kusht regjistrimi i kompanisë në Shqipëri, me një kapital jo më pak se 40 milion lekë ose rreth 400 mijë euro.
Subjekti ose një nga aksionarët e tij, duhet të ketë përvojë në fushën e lojërave të fatit në jo më pak se 3 shtete të Bashkimit Evropian ose vendeve anëtare të OECD dhe për jo më pak se 3 vjet.
Gjithashtu duhet të ketë gjeneruar në vitin e fundit financiar të paktën 2 dy miliardë lekë nga aktiviteti në fushën e lojërave të fatit.
Sipas projektligjit, bastet online do të luhen në faqet zyrtare të internetit, aplikacionet e subjekteve të licencuara për ushtrimin e këtij aktivitetit.
Loja do të zhvillohet vetëm nëpërmjet platformave të autorizuara nga Komisioni i Licencave.