Çmimet e naftës kanë shënuar një rritje ditët e fundit për herë të parë që nga fundi i majit të këtij viti.
Në pikat e karburantit të Kastratit, operatori më i madh i tregtimit me shumicë dhe pakicë në vend, një litër naftë po shitet me 179 lekë, nga 176 lekë që ishte më parë dhe një litër benzinë me 182 lekë, nga 179 lekë që ishte më parë.
Edhe operatorët e tjerë të mëdhenj kanë shtrenjtuar me 2-3 lekë çmimet, ndërsa në tregtuesit e vegjël nafta mbetet disa lekë më e lirë.
Ky është ndryshimi i parë që bëjnë operatorët e tregtimit të karburanteve, pas shkrirjes së Bordit të Transparencës, i cili që nga marsi 2022 deri në 7 qershor 2023 vendosi çmimet tavan të karburanteve.
Operatorët e tregut pohuan se shkak për rritjen e çmimeve është bërë shtrenjtimi i karburanteve në bursa, ku nafta ka arritur në 780 dollarë për ton, nga 690 dollarë që ishte në fillim të qershorit kur Bordi mori vendimit. Treguesi tjetër Brent i naftës arriti deri në 82 dollarë për fuçi dy ditë më parë, për të rënë aktualisht në 78 dollarë, nga 74-76 lekë që ishte në fillim të qershorit. Sipas Reuters, çmimet arritën afër nivelit më të lartë të tre muajve, pasi të dhënat e inflacionit të SHBA-ve treguan se normat e interesit në ekonominë më të madhe në botë ishin afër pikut të tyre.
Por, në kahun tjetër dollari, që është monedha me të cilën tregtohet karburanti ka rënë ndjeshëm në tregun e brendshëm, duke u tregtuar aktualisht në 92 lekë, nga 100 lekë që ishte në fillim të qershorit, ose 8 lekë më pak.
Pas shfuqizimit të Bordit, çmimet u rritën
Për më shumë se një vit, që prej marsit 2022, çmimet tavan të karburanteve u vendosën nga Bordi i Transparencës, një mekanizëm i krijuar nga qeveria për të kontrolluar çmimet pas krizës që u shkaktuan në këtë treg nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës.
Operatorët u shprehën kundër këtij Bordi, duke pohuar se cenon parimet e ekonomisë së tregut dhe nuk u mundësonte kompanive që të optimizonin blerjet në tregjet ndërkombëtare, çka do bënte që ata të furnizoheshin kur tregu ishte më lirë. Kjo sipas tyre do mundësonte çmime rreth 5% më të lira sesa ato që vendos Bordi.
Bordi u shfuqizua në datën 7 qershor, ndërsa vendimi i tij i fundit i përket datës 26 maj, ku çmimi tavan i tregtimit me pakicë të naftës ishte 176 lekë, dhe i benzinës 179 lekë.
Ndërkohë, niveli më i ulët i çmimit i caktuar nga bordi ishte në 4-9 maj, me 169 lekë për litër./ Monitor