Bashkitë e Kurbinit dhe Mirditës prej vitesh vazhdojnë të përballen me vështirësi me situatën e zjarreve gjatë verës. Strukturat vendore e kanë tepër të vështirë të veprojnë në rastet e fatkeqësive natyrore apo zjarreve, për shkak të mungesës së kapaciteteve logjistike, infrastrukturës dhe burimeve njerëzore.
Drejtuesit e Shërbimit Zjarrfikës dhe Emergjencave, kanë ngritur këtë shqetësim në një takim të zhvilluar nga prefekti i Qarkut Lezhë.
Një tjetër sfidë me të cilën u duhet të përballen është edhe zjarrvënia e qëllimshme, pasi sipas shifrave zyrtare mbi 90% e zjarreve vendosen nga keqbërës. Prefekti i Lezhës Gjergj Prendi dhe Drejtori i Emergjencave Civile Haki Çako bënë thirrje që autorët të identifikohen dhe të vihen para përgjegjësisë ligjore.
“Të identifikojmë dhe vëmë para përgjegjësisë ligjore të gjithë personat zjarrëvënës sepse pasojat që vijnë për shkak të një fatkeqësie me një indicie njerëzore janë shumë të mëdha. Kryetarët e Bashkive të marrin përgjegjësitë e veta se janë votuar për këtë punë”, – tha Haki Çako.