Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka reaguar në Facebook lidhur me kërkesën e SPAK për arrestimin e tij, e cila do të votohet sot në Kuvend.
Ahmetaj shkruan se e vërteta do të dalë shumë shpejt në dritë dukë shpjeguar edhe akuzat që ngrihen ndaj tij. Ai shkruan se gjatë kësaj kohe ka marrë shumë kërcënime dhe mesazhe të cilat i kanë thënë se e duan në burg.
Pjesë nga postimi:
Së fundmi i falënderoj të gjithë kolegët e mi, të mazhorancës dhe opozitës që do të votojnë sot, dhe ata që vrapojnë dhe thonë që përgjegjësia është personale. Poooo personale është kur e shkel. Sidomos për ata të hershëm, sot në apozitë, e të rinj që firmosin për punë e projekte”, shkruan Ahmetaj.
Dua të sqaroj qytetarët dhe mbi të gjitha votuesit e mi për çfarë dyshohem, apo siç kanë qejf disa gazetarë, opinionistë e politikanë akuzohem:
- Për njohje të hershme me një njeri i cili kur unë e kam njohur ka qenë njeri normal e në punën e vet. Nuk e di e s’marr përsipër të bëj gjyqtarin, për cfarë ka bërë në jetë ky njeri. Po nuk besoj se njohja me dikë që ndoshta drejtësia e akuzon, të bën të akuzuar apo bashkëpuntor.
Unë në punën time në opozitë dhe më pas në qeveri kam pasur kontakte me gati 100 përqind të bizneseve të vendit. Mijëra mëngjese pune, dreka pune, darka pune, takime pune kanë dhënë frytet e tyre në politikat e zhvillimit të vendit. Mendimet dhe kontributet e tyre kanë marrë qindra herë formën e nismave ligjore në funksion të zhvillimit të vendit.
Një gazetar që vleresoj shumë për profesionalizmin, ka thënë diku që “çkodimi i Blackberry ka zbuluar”…
Bisedat e mia, siç e theksova dhe dje, janë krejt normale dhe impotente në raport me favorizimin apo lobimin, aq më tepër në opozitë.
- Se ish-bashkëshortja ime (që s’ka punuar kurrë në një institucion shtetëror) ka shitur metra katrorë, pronë e deklaruar në deklaratën time të pasurisë, në treg të lirë, si korrupsion???? Pronën e familjes të deklaruar me burime të verifikuara, si korrupsion?? Hetim kujt ia ka shitur pronën??
Nëna ime në 2006 ia ka shitur shtëpinë tonë motrës sime, që jeton gati 17 vite atje. Quhet fiktive???
- Se bashkëjetuesja ime (që ka 20 vite që punon në sektorin privat) dhe familja e saj ka blerë pronë në Hamallaj, me transaksion të pastër e të verifikuar bankar. Mercenarët e kapur në flagrancë kanë pretenduar se ka qenë pronë e Klodian Zotos. Bëjeni këtë pyetje publikisht. Klodian Zoto, që s’ka qenë kurrë miku im, s’e ka pasur kurrë pronë, e s’ka paguar kurrë një cent për këtë pronë, që më pas të ishte në gjendje të falte e dhuronte këtë pronë. Verifikojeni se është kollaj të mos e duash “fytyrën e ngrysur” timen në perceptim.
- Se kam bërë alokime e rialokime me kërkesë gjithmonë të ministrive të linjës, si ministër financash. Ejj Ministri i Financave bën gati 2000 rialokime e alokime e çelje investimesh në vit. Kush e njeh ligjin e Buxhetit, qesh me këtë akuzë. I lutem institucionit të drejtësisë ta lexojë këtë ligj.
- Se kam bërë biznes ndertimi në 2004 e kam marrë e kredi në 2006 për këtë biznes ( e verifikueshme nga Banka Amerikane, sot Intesa San Paolo). Në komision u tha një e pavërtetë, që kredia është marrë në 2016. Kush ka ndërtuar e blerë shtëpi, e di mirë si funksionon ky biznes në Shqipëri.
- Për mos marrje pjesë në procedurë të tenderave dhe koncesioneve, për shkak të pozicioneve të mia zyrtare. Pozicionet e mia zyrtare në Ministrinë e Ekonomisë apo Financave nuk marrin pjesë në procedura. Letrat janë atje. S’kam marrë pjesë në procedurat e inceneratorëve. Letrat do dalin, e nëse dikush do të kërkoje t’i fshehë, do dalin gjithsesi.
- Se ëshë përdorur fondi rezervë për financimin e inceneratorit të Elbasanit. Edhe sikur të ishte kështum do ishte sërish komplet ligjore. Por financimi i inceneratorit të Elbasanit është bërë kur une s’kam qenë ministër Financash, dhe është bërë në përputhje të plotë me ligjet në fuqi. Paraardhësi im, Z.Shkëlqim Cani dhe qeveria ka zbatuar ligjin në këtë vendim. Mësova kur u thirra në SPAK, se nuk e mbaja mend që s’kisha marrë as pjesë në këtë mbledhje qeverie.
Për ju që i lexoni si kureshtarë (nëse i lexoni), hetimi im s’ka pasur fare të bëjë me inceneratorët, se unë për shkak të pozicioneve s’kam pasur tagër të përfshihem në procedurat e tenderimit. Është hetuar Arbeni, jeta e tij për 25 vite, dhe jo procedura. Të thahet liqeni, mbase ngelet peshk në taban. Standard që s’duhet t’i përkasë drejtësisë së re.
Kushdo që është rritur me mua në fëmijëri, apo ka pasur lidhje miqësore apo dikur biznesi e tavolinash, është hetuar. Nexhmija po të ishte gjallë do thoshte “mua s’më qenka bërë asnjë nga “non grata” që është lëshuar si hienë bashke me të deformuarin e zëshëm, apo “miq” me thika blu e rozë.
Dikush më tha “të duan në burg, vëlla”.
Kam marrë kërcënime (i kam me screenshot e me zë ndoshta), madje së fundmi dhe një mesazh triumfi si mirëseardhje…Nëse do ta meritoj, sigurisht që do ndodhë…por jo përpara se e vërteta të marrë rrugë e dritë.
Shpresoj të dalin sa më shumë shkresa e letra të miat, si ato që BIRN nxori dje, që qytetarët të kuptojnë (aq sa mundet) që puna “ e fytyrës së ngrysur” ka qenë në interes të publikut.
Më kanë quajtur “në arrati”. Mendoj që kam ikur për arsye serioze familjare (një pjesë e miqve të mi e dinë përse), dhe besoj e mendoj kam ikur përpara se kërkesa e SPAK për imuitetin tim të ketë shkuar në poste për të arritur pas disa ditësh në Kuvend. Kush ka qejf për scoop ta quajë “arrati”. Dhe Luigjit të 16 iu dha katër ditë kohë përpara se t’i pritej koka, ndërsa mua e avokatëve të mi, as 24 orë (17 orë gjithsej) për një dosje 230 faqe e mbushur me supozime e ndoshta “palë të treta” e një material 60 GB.
Në mbyllje, i kërkoj të falur familjes sime, Livias, Kejsit, Kejlis, Erjolës bashkëjetueses sime, Albinës, ish-gruas sime, nënës sime, motrave të mia, miqve të mi për shqetësimet që u kam sjellë pa dashje me këtë histori. Shpresoj të më falin në këtë jetë.
U kërkoj të falur dhe votuesve të mi, po Zoti e di të vërtetën, që unë do mundohem ditë pas dite ta nxjerr.
To be continued…