Departamenti Amerikan i Shtetit në SHBA publikoi raportin e klimës së investimeve me 2022 për Shqipërinë, në të cilën thuhet se, pavarësisht një kuadri ligjor të shëndoshë, investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes.
“Pavarësisht një kuadri ligjor të shëndoshë, investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata përmendin korrupsionin endemik, përfshirë gjyqësorin dhe prokurimet publike, konkurrencën e pandershme, ekonominë informale, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit fiskal dhe zbatimin e dobët të kontratave si sfida të vazhdueshme për investimet dhe biznesin në Shqipëri”, thuhet në deklaratën përmbledhëse të DASH-it.
Më tej vihet në dukje se, raportimet për korrupsion në prokurimet qeveritare janë të zakonshme. Përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të PPP ka reduktuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë investitorët e huaj në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë.
“Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme. Raportimet për korrupsion në prokurimet qeveritare janë të zakonshme. Përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të partneritetit publik privat (PPP) ka reduktuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë nga investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Investitorët amerikanë sfidohen nga korrupsioni dhe përjetësimi i praktikave informale të biznesit. Disa investitorë nga SHBA-ja janë përballur me mosmarrëveshje tregtare të diskutueshme si me entet publike ashtu edhe me ato private dhe disa shkuan në arbitrazh ndërkombëtar. Në vitin 2019 dhe 2020, tentativa për investim të një kompanie amerikane dyshohet se u pengua nga disa vendime gjyqësore dhe veprime të dyshimta të palëve të interesuara të përfshira në një mosmarrëveshje mbi investimin. Çështja tani është në arbitrazh ndërkombëtar”, thuhet në raportin e DASH-it.
Raporti i konsideron të drejtat e pronësisë sfiduese në Shqipëri, sepse një titull pronësie i qartë është i vështirë për t’u marrë.
“Ka pasur raste të individëve që dyshohet se kanë manipuluar sistemin gjyqësor për të marrë tituj të paligjshëm të tokës. Mbivendosja e titujve të pronësisë është një çështje serioze dhe e zakonshme. Procesi i kompensimit për tokat e konfiskuara nga ish-regjimi komunist vazhdon të jetë joefikas dhe i pamjaftueshëm”, thuhet në raport.
Me tej, në raport thuhet se “Për të trajtuar korrupsionin endemik, qeveria e Shqipërisë miratoi amendamente gjithëpërfshirëse kushtetuese për të reformuar sistemin gjyqësor të vendit dhe për të përmirësuar sundimin e ligjit në vitin 2016.
Zbatimi i reformës në drejtësi është duke u zhvilluar, e mbështetur shumë nga Shtetet e Bashkuara dhe BE, duke përfshirë verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorët për pasuri të pashpjegueshme. Më shumë se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i janë nënshtruar verifikimit janë shkarkuar për pasuri të pashpjegueshme ose lidhje me krimin e organizuar.
BE pret që Shqipëria të tregojë progres në ndjekjen penale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, verifikimi i të cilëve zbuloi sjellje të mundshme kriminale. Zbatimi i reformës në drejtësi është në vazhdim dhe përfundimi i saj pritet të përmirësojë klimën e investimeve në vend. Kuvendi i Shqipërisë votoi me shumicë dërrmuese dhe pa kundërshtim për zgjatjen e mandatit të vetingut në shkurt 2023 .
MARRËVESHJA ME SHBA
Traktati i investimeve dypalëshe SHBA-Shqipëri, i cili hyri në fuqi në 1998, siguron që investitorët amerikanë të marrin trajtim kombëtar dhe trajtim të kombit më të favorizuar. Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruan një memorandum të bashkëpunimit ekonomik në tetor 2020 me qëllim rritjen e tregtisë dhe investimeve mes dy vendeve.
Që nga nënshkrimi, kompani të shumta amerikane kanë nënshkruar marrëveshje për projekte madhore në vend. Sipas të dhënave paraprake të Bankës së Shqipërisë IHD-të fluksi në vitin 2021 pritet të arrijë në 1 miliardë dollarë.
Investimet janë të përqendruara në industritë nxjerrëse dhe përpunuese, pasuritë e paluajtshme, sektorin e energjisë, bankat dhe sigurimet, dhe teknologjinë e informacionit dhe komunikimit.
Stoku i IHD-ve nga Shtetet e Bashkuara zë një peshë të vogël, por në rritje të shpejtë. Në fund të tremujorit të tretë 2021, stoku i IHD-ve të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri arriti në 168 milionë dollarë, nga 99 milionë dollarë në fund të vitit 2020, me një rritje gati 70 për qind.
GJETJET E RAPORTIT TË DASH PËR KLIMËN E INVESTIMEVE NË SHQIPËRI
• Investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes.
• Raportimet për korrupsion në prokurimet qeveritare janë të zakonshme.
• Sfidat e vazhdueshme për investimet dhe biznesin në Shqipëri janë korrupsioni endemik, përfshirë gjyqësorin dhe prokurimet publike, konkurrencën e pandershme zbatimin e dobët të kontratave.
• Problem mbetet ekonomia informale dhe ndryshimet e shpeshta të legjislacionit fiskal. Përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të partneritetit publik privat (PPP) ka reduktuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë nga investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë.
• Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme.
• Investitorët amerikanë sfidohen nga korrupsioni dhe përjetësimi i praktikave informale të biznesit.
• Disa investitorë nga SHBA janë përballur me mosmarrëveshje tregtare të diskutueshme si me entet publike ashtu edhe me ato private dhe disa shkuan në arbitrazh ndërkombëtar.
• Ka pasur raste të individëve që dyshohet se kanë manipuluar sistemin gjyqësor për të marrë tituj të paligjshëm të tokës.
• Mbivendosja e titujve të pronësisë është një çështje serioze dhe e zakonshme.
• Procesi i kompensimit për tokat e konfiskuara nga ish-regjimi komunist vazhdon të jetë joefikas dhe i pamjaftueshëm.