Monedha zyrtare e Shqipërisë është Leku dhe po në këtë monedhë është pjesa më e madhe e të ardhurave të popullsisë, megjithatë, shqiptarët preferojnë të kursejnë në Euro.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se përgjatë periudhës nga maji 2022 deri në maj 2023, kursimet në euro u shtuan me 1 miliard euro, ndërsa ato në lekë me vetëm 4 miliardë lekë, ose 37 milionë euro më shumë.
Stoku i depozitave në total që kanë individët, institucionet shtetërore dhe ato jopublike arriti në 1.25 trilionë lekë në fund të muajit maj, rreth 11 miliardë euro, me një rënie prej 0.1% në krahasim me muajin e mëparshëm.
Rënia është ndikuar tërësisht nga tkurrja e kursimeve në monedhën vendase. Depozitat në lekë zbritën në 542 miliardë lekë, me një tkurrje prej 0.24% me muajin e mëparshëm, ose 1.3 miliardë lekë më pak.
Tkurrja ka ardhur si nga bizneset, ashtu dhe nga individët, ndërkohë që rënia e tyre është amortizuar nga shtimi i kursimeve nga qeveria lokale dhe administrata publike.
Të dhënat e tjera të raportuara në valutë tregojnë se depozitat në Euro, që përbëjnë pjesën më të madhe të kursimeve në valutë, kanë vijuar me rritjen e qëndrueshme edhe në maj.