Fuqia e TikTok nuk mund të nënvlerësohet, në kushtet kur aplikacioni është kthyer jo vetëm në argëtim, por edhe në domosdoshmëri. Nëpërmjet TikTok secili nga ne mund të ndikojë në karrierën e tij, në perceptimet e njerëzve, stilin e jetesës dhe pse jo edhe një ‘vend pune’ ku fitohen shumë para. Pra, thënë ndryshe, TikTok është shndërruar në një domosdoshmëri universale.
TikTok ka mbi 1 miliard përdorues aktivë në muaj. Megjithëse u krijua në vitin 2016, popullariteti në TikTok, veçanërisht për njerëzit në grupmoshën 15-25 vjeç, u rrit me mbi 180% sidomos gjatë pandemisë Covid-19.
TikTok është i njohur për sfidat dhe trendet e fundit duke filluar nga kërcimi, ushqimi, veshjet, muzika. Megjithatë ky model universal argëtimi, shpesh është shndërruar në rrezik për jetën e përdoruesve.
Fansa “të çmendur” pas trendeve
Këngëtaret me origjinë shqiptare, Bebe Rexha dhe Ava Max, ranë pre e sulmeve fizike nga fansat teksa dhuronin shfaqjet për publikun. E para ishte Bebe Rexha. Këngëtarja me famë botërore po performonte në skenë në Nju Jork-ut kur një fans e gjuajti nga turma me një telefon në fytyrë. Këngëtarja u rrëzua përtokë dhe u dërgua në spital ku mori disa qepje në syrin e majtë. Autor i sulmit ishte një 27-vjeçar, Nicolas Malvagna, i cili u arrestua menjëherë. I riu dëshmoi se po përpiqej të shihte nëse mund ta godisja me telefon në fund të koncertit sepse do të ishte qesharake. Pra, Malvagna po përpiqej të kthente diçka të rrezikshme në një “trend”.
Një ditë pas incidentit me Bebe Rexhën, pre e sulmit të radhës ishte Ava Max. Këngëtarja ishte duke perfomuar kur një fans u ngjit në skenë dhe e qëlloi me shuplakë. Ava e kaloi incidentin me lehtësi duke vijuar kërcimin për të mos u vënë re. Ndërsa fansi u mor nga rojet e sigurisë.
Ajo që Malvagna tha se mund të dukej qesharake, tashmë duket se po merrte përmasat e një trendi të ri që në TikTok u bë viral. Problemi i trendeve është se përhapen shumë më shpejt nga çfarë mund ta imagjinojmë dhe me shumë gjasa, shumë shpejt do kemi raste dhune të këngëtarëve nëpër koncerte siç i ndodhi Rexhës dhe Max.
Por, si po ndikon aplikacioni famshëm në jetën tonë?
Përpos faktit që është një inovacion i cili ka sjellë lehtësira për blogerët, artistët, bizneset, mediat apo edhe për politikën duke e shndërruar thuajse gjithçka në ‘trend’, TikTok ka edhe disa anë negative. ‘TikTok-ifikimi’ i internetit në përgjithësi te përdoruesit e mediave sociale dhe ndikimi i tij në zakonet tona të përditshme dhe në shëndetin mendor, mbetet shumë pak i njohur.
Mungesa e të kuptuarit se si TikTok ndikon te përdoruesit e tij është veçanërisht shqetësuese duke pasur parasysh popullaritetin masiv të aplikacionit, kryesisht te të rinjtë. I quajtur gjithnjë e më shumë “brezi i TikTok”, shumica e adoleshentëve kanë llogari në TikTok.
Trendet, sfidat dhe lojërat janë shndërruar në kërcënim, kryesisht për moshat e reja, të cilat mundohen t’i kthejnë në realitet. Shumë adoleshentë kanë humbur jetën për shkak se kanë marrë përsipër të kryejnë një sfidë virale të TikTok. Së fundmi, një influencer i njohur në TikTok me emrin “Sanqiange”, ndërroi jetë pasi realizoi një sfidë ku duhej të konsumonte sa më shumë alkool.
TikTok ka përmbajtje të dëmshme dhe të papërshtatshme për disa mosha, pavarësisht filtrave dhe rregullave që aplikacioni vendos kundrejt përdoruesve. Moshat e reja janë shndërruar në “robot” të TikTok. Kjo për faktin se njerëzit në çdo cep të botës, janë mësuar tashmë të ndajnë çdo detaj nga jeta e përditshme, edhe nëse mund të jetë i parëndësishëm për pjesën më të madhe të audiencave.
TikTok duket se po e kthen audiencën dhe përdoruesit e tij në kopje të njëri-tjetrit. Mënyrën dhe stilin e jetesës, modelin e flokëve, veshjen, të ushqyerit, të folurit dhe perceptimet, përdoruesit shpesh i kopjojnë dhe i bëjnë pjesë të karakterit personal. Këtu kemi të bëjmë me mungesë origjinaliteti.
Shumë video, imazhe, që në thelb përbëjnë informacion, në disa raste rezultojnë të pavërteta. Pra, TikTok mund të kthehet në një dezinformues, duke marrë parasysh edhe përmasat e përdorimit në rang global. Për të shkuar më tej, te problemet e sigurisë dhe të dhënat personale të përdoruesve.
TikTok është kthyer në një “sëmundje teknologjike” me pasoja të dukshme në jetën sociale të të rinjve dhe shëndetin mendor. Sfidat e kanë shndërruar aplikacionin në një ‘trend të rrezikshëm’ për shoqërinë globale.