“Get Ready With Me”
Ky është padyshim trendi që i ka përfshirë thuajse të gjitha vajzat që janë aktive në rrjetet sociale, veçanërisht në Tik Tok.
“Bëhuni gati me mua, për një takim, intervistë pune apo për një festë”. Këto janë frazat që dëgjojmë shpesh nga blogeret të cilat na ekspozojnë pjesë të vogla të përditshmërisë e çuditërisht njerëzit kanë interes për video të tilla. “Për krijuesit, ky është një mjet për të rrëfyer histori” thotë Earnest Pettie, një ekspert i tendencave në YouTube.
Fitimet
Mundësia e biznesit për të përfituar nga këto video është masive. Pas përmbajtjes së “përgatitjes” fshihen mesazhe të tjera, më komerciale.
Në vitin 2023 hashtagu #GRWM ka marrë mbi 165 bilion shikime në Tik Tok. Një nga personat e parë që realizoi një video të tillë ishte Shaaanxo në vitin 2010, ndërsa tani që trendi ka arritur kulmin, Alix Earle dhe Katie Fang janë personazhet më të njohura.
Të famshmit shpesh promovojnë markat e tyre. Në prill, modelja Sofia Richie Grainge iu bashkua TikTok dhe postoi një seri videosh “Get Ready with Me” për t’iu ofruar fansave një pamje të brendshme të dasmës së saj.
Banka e investimeve tha në një raport në fillim të këtij viti se “ekonomia kreative” vlen sot 250 miliardë dollarë dhe mund të dyfishohet deri në vitin 2027.
Si nisi?
Në vitet e para, njerëzit thjesht bënin grim para kamerës. Menjëherë pas kësaj, videot evoluan në atë që shihen sot, krijuesit e përmbajtjeve flasin me ndjekësit e tyre për çdo gjë që kanë në mendje.
Një nga influencueset më të njohura në këtë fushë është 22-vjeçarja Alix Earle, e cila ndan me ndjekësit çdo gjë, që nga “sfida” me puçrrat, çrregullimet e të ngrënit, sulmet e panikut apo netët e qeta me miqtë. Ajo ka afro 6 milionë ndjekës në TikTok.
Alisha Rei, është një modele e cila jeton në Toronto dhe thotë se dëshiron të krijojë përmbajtje virale në rrjetet sociale për ta ndihmuar në karrierë. Sipas saj ky trend “thith” shumë audiencë.