Fëmijët mund të regjistrohen në klasë të parë pa mbushur 6 vjeç. Nisma e propozuar nga ministria e Arsimit pritet të miratohet në Kuvend gjatë këtij sesioni paralamentar.
Ulja e moshës për të nisur klasën e parë ka ardhur pas kërkesave të shumta nga prindërit. Deri më tani në klasë të parë regjistrohet çdo fëmi që mbush 6 vjeç deri në 30 shtator, ndërsa me ndryshimin e ligjit, të vegjlit që mbushin 6 vjeç deri në 31 dhjetor mund të nisin shkollën.
“Meqë kishte ankesa të këtij lloji, që përse fëmija im për 1 javë, për një ditë apo për një muaj të mos regjistrohet në shkollë, cila është arsyeja. Arsyeja e vetme ishte ligji. Pritet që të miratohet ky ligj dhe me dëshirën e prindit fëmija mund të regjistrohet nën 6 vjeç.”
Në shkolla faza e regjistrimeve të klasës së parë nis pas datës 15 qershor, në portalin e-Albania dhe zgjat një javë.
“Zyra Arsimore Tiranë ka vendosur rrugët që përfshihen për të regjistruar nxënësit te shkolla jonë. E kemi me detyrim që për fazën e parë t’u përmbahemi këtyre rrugëve. Për fazën e dytë nëse shkolla e shikon qe ka akoma kapacitete mund të presë fëmijë edhe përtej këtyre rrugëve.”
Regjistrimi online, i cili u aplikua për herë të parë vitin e kaluar has vështirësi tek një pjesë e prindërve.
“Disa prej prindërve e kanë të pamundur të bëjnë regjistrimin që për x arsye mund të kenë harruar pass e e-albania. Ne u gjendemi pranë këtyre prindërve dhe i kemi ndihmuar”.