Duke filluar nga dita e sotme, gjatë ditëve të fundjavës dhe të festave, do të ketë kufizime të qarkullimit rrugor për disa kategori të mjeteve.
Këto masa janë ndërmarrë në kuadër të mbarëvajtjes së sezonit turistik, në mënyrë që qarkullimi drejt zonave turistike dhe bregdetare të krijojë lehtësira për lëvizjen e qytetarëve dhe shtetasve të huaj.
Policia bën me dije se mjetet e tonazhit të rëndë, si dhe mjetet bujqësore, do të kenë kufizime në qarkullimin rrugor.
Mjetet rrugore për transportin e mallrave me peshë të përgjithshme të autorizuar, mbi 7500 kg, mjetet me ngarkesë të pandashme, me gjatësi maksimale më të madhe se 12 m, mjetet bujqësore që kanë shpejtësi më të vogël se 40 km/orë, mjetet rrugore që kalojnë përmasat kufitare, sipas nenit 61 të Kodit Rrugor dhe mjetet rrugore që shërbejnë për kursantët e autoshkollave mësimore do të kenë kufizime në qarkullimin rrugor.
Pika e Kalimit Kufitar Muriqan-Shkodër dhe anasjelltas; Pika e Kalimit Kufitar Hani i Hotit-Shkodër dhe anasjelltas, Plazhi i Zogajt-Shkodër dhe anasjelltas, Plazhi i Shirokës-Shkodër dhe anasjelltas, Plazhi i Velipojës-Shkodër dhe anasjelltas, Durrës-Tiranë, Durrës-Gjiri i Lalëzit, Vlorë-Palasë-Dhërmi-Vuno-Himarë-Qeparo-Borsh-Bunec-Sarandë dhe anasjelltas janë disa prej akseve të cilat do të ketë kufizime gjatë fundjavës dhe ditëve të festave.
Kufizimet për kategoritë e mjeteve në akset e sipërpërmendura do të jenë të premten nga ora 15:00-22:00, të shtunën, nga ora 08:00-12:00 dhe nga ora 16:00-22:00, ndërsa të dielën, nga ora 07:00-22:00.
Këto masa hyjnë në fuqi nga kjo e enjte deri më 15 shtator 2023.