Pas një viti pezull, Gjykata e Posaçme kaloi të martën, për gjykim çështjen penale ndaj Dritan Rexhepit dhe grupit të strukturuar kriminal, që akuzohen për rrëmbimin, vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës. Të pandehur janë marrë zyrtarisht edhe Geraldo Martini, Aldo Majnishta, Martin Bleta, Korado Geshtenja e Artan Docaj të akuzuar si grup i strukturuar kriminal.
Ndërkohë gjyqi për Altin Hajrin për të njëjtat akuza është pezulluar deri ne njoftimin dhe kapjen e tij. Për këtë të fundit SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim, dosjen në ngarkim të pronarit të kompleksit “Golden” në Shijak, i akuzuar për pesë vepra penale në lidhje me rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e Jan Prengës.
Jan Prenga u rrëmbyet në 17 janar 2020 në Kamëz, ku sipas SPAK, e gjitha u bë për shkak se vëllai i tij Astriti grabiti një ngarkesë prej 260 kg heroinë në një port të Britanisë së Madhe. Më herët, dy shkallët e gjyqësorit shpallën Festim Bexhdilin, kopshtarin e resortit në Shijak, si fajtor për rrëmbimin dhe zhdukjen e kufomës së këtij të fundit, duke e dënuar me burgim të përjetshëm.