79 operacione policore janë kryer nga policia e shtetit në muajin maj nga të cilët janë vënë në pranga 68 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Të dhënat e muajit maj 2023 tregojnë se për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të kanabisit, skuadra të posaçme policore të pajisura me dronë të teknologjisë së lartë, kanë finalizuar 13 operacione në qarqet Durrës, Lezhë dhe Shkodër. Në total, si rezultat i megaoperacioneve “Territor i pastër”, “Imazhi” dhe “Alpe të pastra”, u asgjësuan 39 613 fidanë dhe bimë narkotike cannabis sativa.
Në vijim të luftës kundër narkotikëve, për konstatimin dhe goditjen e tentativave për të shpërndarë, shitur dhe trafikuar lëndë narkotike, janë finalizuar 17 operacione, si rezultat i të cilave janë sekuestruar 2.3 kg kokainë, 170 kg cannabis sativa, 70 bimë opiumi, vaj kanabisi dhe ekstazi.
Në fushën e krimeve me objekt mbajtjen pa leje të armëve të zjarrit, janë finalizuar 6 operacione për të cilat janë sekuestruar 22 armë zjarri dhe gjahu.
Në fushën e parandalimeve vlen të theksohet megaoperacioni policor i koduar “Plani”, i cili falë informacioneve të siguruara nga Policia e Elbasanit, bëri të mundur parandalimin e kryerjes së një atentati ndaj një shtetasi me precedent kriminal. Në vijim të këtij megaoperacioni, u vu në pranga autori kryesor dhe bashkëpunëtori i tij, si dhe u sekuestruan armët që do të përdoreshim për atentatin.
Si rezultat i bashkëpunimit intensiv dhe i shkëmbimit të menjëhershëm të informacioneve me partnerët ndërkombëtarë, është kapur në Rabat, Marok, vrasësi i biznesmenit Ardian Nikulaj, ndërsa në Janinë janë kapur i shumëkërkuari për krime kundër personit, shtetasi Laert Haxhiu dhe shoqëruesi i tij, një 22-vjeçar i shpallur në kërkim për llogari të Policisë së Pogradecit, për plagosje të rëndë me dashje.
Për paligjshmëritë në fushën e krimeve ekonomike, janë finalizuar 8 operacione dhe janë goditur 80 raste.
18 operacione dhe aksione policore janë finalizuar për të zbardhur dhjetëra vjedhje të kryera gjatë këtij muaji, si dhe për të vënë në pranga autorët e tyre.
Gjatë këtij muaji, janë vënë në pranga 112 drejtues mjetesh, nga të clët 64 për drejtim të mjetit, nën efektin e alkoolit dhe 48 për drejtim të mjetit, pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë pezulluar 624 leje drejtimi, nga të cilat 465 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 100 për drejtim mjeti, në ndikimin e pijeve alkoolike dhe 59 për qarkullim në sens të kundërt me lëvizjen.