Në një kohë kur ndërkombëtarët po i ushtrojnë presion që të tërhiqet, Albin Kurti bën me dije se nuk do të bëjë hapa pas. Në një intervistë për BBC Radio, kryeministri i Kosovës tha se nuk do të bëjë kompromise për Republikën. Ai thekson se si fillim Serbia duhet të ndalë dhunën në veri të vendit dhe më pas të ulen në bisedime për zgjedhje të reja në 4 komunat me shumicë serbe.
“Nëse këto ndërtesa nuk janë për kryetarët për kënd duhet të shërbejnë atëherë. Kryetarët janë në zyrat e tyre, dhe kjo është si duhet të jetë dhe të qëndroj. Ne mund të rishikojmë largimin e Policisë së Kosovës nga këto ndërtesa, por së pari bandat e dhunshme kriminale të cilat kanë sulmuar dhe plagosur gazetarët, policinë tonë dhe ushtarët e NATO-s, duhet të kthehen në Serbi ose në burg. Jam i gatshëm të dëgjoj propozimet për zgjedhje të parakohshme, por pasi që të vendoset sundimi i ligjit në vend, tha Kurti.
Megjithatë, pavarësisht kësaj, Kurti sqaron se ky qëndrim i tij nuk ka dëmtuar raportin e Kosovës me aleatët.
Ne i konsiderojmë SHBA-të, BE-në, Britaninë e Madhe, aleatë dhe miq të pakontestueshëm, dhe u jemi shumë mirënjohës për lirinë dhe pavarësinë tonë dhe për zhvillimin e demkoracisë. Gjithsesi ne nuk mund tua dorëzojmë Republikën tonë, policisë fashiste e cila paguhet nga autokratët në Beograd, i cili dikur ka qenë ministër i propagandës së Millosheviqit”, tha ai.
Ndërkombëtarët kanë 3 kërkesa të qarta. Së pari mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri të vendit. Kjo krahas dy kërkesave tjera, që ka të bëjë me pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje dhe nisjen e punës për themelimin e Asociacionit, për ndryshe paralajmërojnë pasoja të rënda.