Pirateria nga interneti, në rritje vit pas viti, po kthehet në një fenomen shqetësues për ofruesit e shërbimeve të programeve audiovizive. Humbjet financiare janë të shumta, duke rrezikuar industrinë kreative dhe operatorët audiovizivë të hyjnë në ngërç rreth mundësive për investime në teknologji dhe prodhime cilësore. Sipas operatorëve, frenimi i piraterisë nuk është i pamundur dhe rregullatorët e tregut mund të marrin disa masa për të minimizuar pasojat. Kjo lidhet si me investimet teknologjike, edhe me kapacitetet njerëzore. AMA pranon se fenomeni është në rritje dhe ka nevojë për ndërhyrje. Aktualisht po zhvillon diskutime me palët e tregut, por ende nuk ka një model final se si do të bëhet frenimi dhe as një kosto për këtë hap. Në këtë kontekst, pirateria do të vijojë të mbetet problem deri kur të ketë pak më shumë vullnet në luftën kundër saj. Mund të jetë e vështirë, por jo e pamundur.
Një serial i fundit, një reality show apo një ndeshje futbolli e parë në rehatinë e divanit të shtëpisë nga një platformë interneti që ka “vjedhur” transmetimin mund të duket si një gabim i pafajshëm i kujtdo dhe pa ndonjë ndikim të madh.
Ky fraksion i vogël që nis me një individ, në fakt është një grup që numëron mijëra e miliona persona të cilët shfrytëzojnë mundësitë që jep interneti për të piratuar programet televizive.
Vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, piratimi online i filmit dhe televizioneve shkakton 29 miliardë dollarë humbje. Kjo është maja e ajsbergut, pasi efekti në të ardhurat e munguara është vetëm një prej aspekteve. Spiralja e pasojave përshkallëzohet në vende pune të humbura, investime të ulura, në më pak taksa të paguara në buxhet.
Në Shqipëri mungon një shifër zyrtare përmbledhëse mbi efektet financiare të piraterisë nga interneti, por në mënyrë periodike ofruesit e shërbimit mediatik audioviziv, apo platforma të licencuara nga AMA, raportojnë mbi dëmet që u shkaktohen.
Në raportin e fundit vjetor, AMA nënvizonte se pirateria nga interneti po kthehet në një fenomen shqetësues, i cili po rritet vit pas viti edhe në vend. Por mënyra sesi është përshkruar fenomeni ku nënvizohet se ka vështirësi për ta frenuar duket si një dorëzim pa betejë, në një luftë që zhvillohet globalisht, secili vend në terrenin e tij.
“Vlen për t’u përmendur një fenomen i ri në transmetimet audiovizive që po kryhet nëpërmjet internetit. Kjo është një formë e sofistikuar piraterie, e cila po përhapet gjithmonë e më shumë në vitet e fundit.
Pirateria televizive, nëpërmjet internetit, është një fenomen sa shqetësues aq dhe i ndërlikuar për t’u identifikuar, për shkak se në shumicën e rasteve produkti audioviziv që transmetohet në formë abuzive, vjen nga servera të vendeve të botës dhe nuk janë të instaluara brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Për këtë arsye, identifikimi i tyre bëhet shumë i vështirë” – thuhet në raportin e AMA.
Pirateria nga interneti vë në rrezik platformat televizive
Ofruesit e Shërbimit të Programit Audioviziv në Shqipëri po përballen vit pas viti me dëme të shumta në aspektin financiar për shkak të piratimit nga interneti.
Si një industri ende relativisht e re, por me rritje të shpejtë të nxitur nga investimet e shumta, pirateria po e bën më të vështirë ruajtjen e ritmit në aspektin e investimeve teknologjike apo kapaciteteve njerëzore.
“I gjithë ky progres, i arritur me investime kolosale financiare dhe burime njerëzore, që janë trajnuar në mënyrë sistematike gjatë këtyre viteve, vihet në rrezik nga fenomeni i piraterisë televizive, i cili po nuk u zhduk apo minimizua, mund të na çojë dy dekada pas.
Platformat Televizive dhe Televizionet Kombëtare, por edhe ato lokale, punësojnë mijëra njerëz. Ata përfaqësojnë profesionistë të cilët i kanë kushtuar karrierën e tyre kësaj industrie, duke u zhvilluar si në planin personal, por edhe në atë që i ofrojnë gjithë publikut.
Nëse kjo industri do të kërcënohet nga pirateria, dëmet direkte dhe indirekte do të jenë të pallogaritshme”, – pohon Eglinor Ramaj, Drejtor Ekzekutiv i DigitAlb.
Për shkak të piratimit, industria mund të hyjë në një rreth vicioz ku fillimisht pakësimi i të ardhurave do të ndikojë përmbajtjen e asaj që ofrohet dhe më pas kjo mund të rezultojë në një interes më të ulët të abonentëve të rregullt për t’i blerë të drejtat.
“Platformat e transmetimeve dixhitale dhe mediat audiovizive mbështeten kryesisht në të ardhurat e tyre për të financuar projekte të reja dhe për të përmirësuar cilësinë e përmbajtjes ekzistuese.
Nëse një pjesë e publikut e shikon materialin e tyre në internet në mënyrë të paligjshme, atëherë këto platforma nuk do të kenë të ardhura të mjaftueshme për të mbështetur zhvillimin e tyre.
Mungesa e të ardhurave mund të ndikojë negativisht në investimet e tyre në të ardhmen, pasi platformat nuk do të kenë mjaftueshëm fonde për të investuar në projekte të reja”, – nënvizon Armand Selimaj, Drejtor i Përgjithshëm i Teknologjisë për Tring TV.
Lufta ndaj piraterisë s’është e pamundur, duhen investime
Zhdukja e plotë e piraterisë nga interneti mund të jetë një dëshirë e madhe e bizneseve që preken nga ky fenomen apo dhe institucioneve por nuk mund të arrihet plotësisht. Gjithsesi, operatorët e tregut pranojnë se minimizimi i pasojave të saj mund të arrihet duke bërë investimet e duhura teknologjike dhe në kapacitete njerëzore.
“Një mënyrë për të luftuar piraterinë në internet është përmirësimi i teknologjisë së sigurisë dhe ndërprerjes së aksesit në këta servera të paligjshëm. Kjo mund të arrihet duke bashkëpunuar me autoritetet dhe institucionet si në Shqipëri, por dhe në të gjithë botën për të identifikuar dhe për të ndaluar serverat e paligjshëm që shfrytëzohen për të shpërndarë përmbajtje të piratuar.
Platformat e transmetimeve dixhitale, mediat audiovizive dhe ofruesit e shërbimeve ‘Internet’ mund të bashkëpunojnë me këto autoritete dhe institucione për të ndërmarrë veprime konkrete në këtë drejtim dhe për të siguruar që të drejtat e pronësisë intelektuale të mbrohen në mënyrë efektive”, – pohon z.Selimaj.
Kryerja e investimeve të nevojshme në infrastrukturë dhe teknologji, në funksion të luftës ndaj piraterisë mund të arrijë të frenojë abuzimin. Shqipërisë, në këto raste, nuk i duhet që të gjejë modele të reja, por të aplikojë ato që sot janë më efikaset në treg ku shumë vende kanë zgjedhur që shërbimin kundër piraterisë ta marrin nga kompani që kanë në objekt të aktivitetit pikërisht këtë profil.
“Me një investim shumë modest nga organet rregullatore, mund të bëhet i mundur kontrolli i gjithë trafikut ‘streaming’, pra trafikut që mundëson transmetime nëpërmjet internetit.
Kjo ofron mundësi të sigurta për bllokimin e streaming/transmetimeve pirate në kohë reale pa pasur rëndësi se ku ndodhen lokalisht serverat që mundësojnë këto transmetime pirate. E thënë më qartë, serverat le të operojë nga Kina apo India, por ai lloj trafiku mund të ndalohet të hyjë në Shqipëri.
Ka shoqëri ndërkombëtare të specializuara për këto lloj shërbimesh, të cilat kanë kontrata me organet rregullatore në çdo vend të botës dhe mundësojnë kontrollin e trafikut të internetit jo vetëm për piraterinë televizive, por edhe për çështje të sigurisë kombëtare, përmbajtjeve të papërshtatshme në internet etj.” thekson z.Ramaj nga DigitAlb.
Rritja e kapaciteteve njerëzore, bashkërendimit institucional mes disa rregullatorëve që janë të përfshirë në treg dhe task-forca të përbashkëta shihen si forma efikase për të frenuar piratimin. Për z. Ramaj, kohët e fundit ka pasur koordinim më të mirë mes AMA dhe AKEP për minimizim e piraterisë nëpërmjet internetit, por sigurisht mbetet shumë për të bërë.
AMA: Po kërkojmë sugjerime nga tregu për modelin
Autoriteti i Mediave Audiovizive pranon se nuk mund të ndalojë plotësisht fenomenin e piraterisë nga interneti, por se po bën një përpjekje për të gjetur mënyra për të ulur ndikimet negative. Përfaqësues të AMA-s thanë për “Monitor” se në fillim të këtij viti ka pasur takime me operatorë të tregut, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje.
“Në fillim të vitit, Kryetarja e AMA-s organizoi një takim me operatorët më të mëdhenj për qasjen se çfarë mund të bëjmë të gjithë së bashku për të minimizuar këtë fenomen. Një ndër problematikat e ngritura në takim ka qenë kostoja shumë e lartë.
Megjithatë AMA është treguar e gatshme që, me fondet e saj, të vijë në ndihmë për krijimin e një softi apo blerjen e një aparature që arrin të identifikojë dhe minimizojë këtë fenomen. U kemi kërkuar kompanive të na sjellin rekomandime apo modele për të cilat janë në dijeni dhe që funksionojnë për frenimin e piraterisë.
Këto të fundit kanë më shumë kapacitete njerëzore, pasi janë të mëdha, por kanë edhe përvojën dhe njohjen e tregjeve falë partneriteteve me palë të treta, për të sjellë sugjerime të vlefshme. AMA, pavarësisht ekspertizës, është shumë e kufizuar në kapacitete njerëzore.
Kemi kërkuar aparatura, teknologji apo modele tregu për të bërë një llogaritje kostoje në mënyrë që, edhe nëse AMA nuk i ka mundësitë, të lobojë për t’i siguruar. Por të themi të drejtën, deri më tani, nuk kemi pasur ndonjë feedback nga pala tjetër”, – konfirmuan ata.
Në përgjigje të kësaj, operatorët e tregut thanë për “Monitor” se AMA si rregullator mund të sigurojë modelet dhe praktikat më të mira nga institucione homologe të saj, si dhe nga kompani ndërkombëtare me ekspertizë në këtë fushë. /Monitor